Mësimdhënësi Muhamed Hajredinaj është deklaruar i pafajshëm për akuzën se hodhi në shportë të mbeturinave flamurin kombëtar dhe plisin.
“Jam i pafajshëm”, tha Hajredinaj, në shqyrtim fillestar të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, shkruan Betimi për Drejtësi.
Paraprakisht, u lexua edhe aktakuza nga prokurori special, Bekim Kodraliu.
Sipas atakauzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 24 prill 2025, Muhamed Hajredinaj akuzohet se më 27 nëntor 2024, në objektin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, në cilësinë e arsimtarit të gjuhës angleze, me qëllim të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit midis grupeve kombëtare, etnike dhe fetare në Kosovë, sapo ka hyrë në klasë dhe i përballur me pamjen dhe simbolet kombëtare shqiptare që nxënësit kishin veshur me rastin e festës së flamurit kombëtare shqiptar, i panehuri për shkak të bindjeve të tij fetare, të cilat i ka shprehur edhe më parë në prani të nxënësve, ka marrë flamurin kuq e zi dhe plisin, dhe përkundër kundërshtimeve të nxënsëve, i ka hedhur në shportën e mbeturinave.
Aktakuza thotë se i pandehuri po ashtu ka larguar nga ora mësimore nxënësen e cila mbante këto simbole, me qëllim të pjesëmarrjes në programin festiv të organizuar nga shkolla për Ditën e Flamurit. Më këto veprime, i pandehuri akuzohet se publikisht ka nxiturr urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve kombëtare, etnike dhe fetare.