×
  • Lajme
  • Lajme

    Albin Kurti ndërhynë në zhvillimet në Shqipëri: Protestat atje revoltë rinore, kundër sistemit korruptiv

    Reporteri
    15 Dhjetor 2020 | 21:35

    Nuk është praktikë e zakonshme në politikë, që një politikan të ndërhyjë në zhvillimet politike të një vendi tjetër, por Albin Kurti këtu bënë përjashtim. Kurti ka komentuar zhvillimet politike të fundit në Shqipëri pas vrasjes së të riut Klodian Rasha, dhe protestat që pasuan atje.


    Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, një javë pas vrasjes së të riut Klodian Rasha, nga një pjesëtar policie, ka reaguar duke përkrahur protestat që pasuan këtë vrasje.

    Kurti reagimin e tij e ka nisur me ngushëllimin familjes së të riut, por në të njejtën fjali ka ngushëlluar edhe shoqërinë shqiptare, duke dashur të thotë, se ata qytetarë atje janë viktima të një sistemi politik. Këtë, Kurti e ka sqaruar në rreshtat e mëposhtëm të reagimit të tij, ku thotë se ata që janë në majë të pushtetit e kanë momentin e fundit ta kuptojnë që atë që kanë bërë deri sot e kanë bërë gabim, shkruan Reporteri.net.

    “Ngushëllime familjes e shoqërisë, dhe mbarë të rinjve shqiptarë, për Klodian Rashën, 25 vjeçarin të cilit ia morën jetën në rrugicën pranë shtëpisë së tij. I kam ndjekur me vëmendje nga mediat protestat dhe e kam ndjerë edhe në Prishtinë revoltën e të rinjve në Tiranë e qytete të tjera të Shqipërisë. Thirrja “Drejtësi për Klodianin” ka bërë jehonë kudo mes shqiptarëve. Ata që janë në majë të pushtetit politik e shtetëror, biznesor e mediatik, tash e kanë momentin e fundit që të kuptojnë se shumëçka që është bërë gabim deri më sot, ka prodhuar zhgënjim të madh”, ka shkruar Kurti.

    Tutje, ai në regimin e tij duke komentuar protestat që pasuan vrasjen e të riut, ka thënë se revolta rinore ka qenë mesazh se shqiptarët nuk mund të bashkëjetojnë me atë lloj sistemi politik e ekonomik korruptiv.

    “Janë zhgënjyer qytetarët tanë, rinia jonë, siç janë zhgënjyer edhe partnerët ndërkombëtarë që kanë interes në forcimin e shqiptarëve. Revolta rinore mund të mos ketë patur fjalime të sofistikuara mirëpo ajo foli e po flet qartë. Bashkë me fenomenin tjetër, emigrimin masiv, këto revolta po japin mesazhin se shqiptarët nuk mund të bashkëjetojnë më me këtë lloj sistemi politik dhe ekonomik korruptiv, që shkakton padrejtësi, pabarazi e prapambetje. Edhe në Kosovë jemi në të njëjtën pikë, por këtu ende nuk po shpërthen revolta, sepse është edhe një shpresë. Atë shpresë nuk do ta lëmë pa e bërë realitet”.

    “Sigurisht, me angazhimin e shqiptarëve, e sidomos të rinjve, edhe në Shqipëri do të mundësohet rikthimi i shpresës, e ndryshimi i rrugës, larg korrupsionit dhe drejt zhvillimit. Shqipëria ka plot njerëz të ndershëm, të aftë e të palodhur, që u qan zemra për ta parë vendin e vet mirë, me demokraci e drejtësi. U duhet vetëm të nisin të organizohen e të strukturohen, për t’i kapërcyer pengesat e vjetra, dhe kam bindjen që shpejt do të ndodhë edhe ajo. Drejtësi për Klodianin do të thotë drejtësi e demokraci e mirëfilltë për Shqipërinë”, ka thënë Kurti. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!