×
  • Lajme
  • Lajme

    Albin Kurti: Pas fitimit të zgjedhjeve – puna më e madhe mbetet para nesh

    Reporteri
    26 Tetor 2019 | 10:26

    Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se pas zgjedhjeve të 6 tetorit ku ai doli fitues, tani puna më e madhe mbetet para tij.


    Kështu ka thënë ai në Samitin për Paqe i Evropës Juglindore që po mbahet në Tiranë, duke shtuar se përveç nevojës për fqinjësi të mirë në Ballkan, edhe Bashkimi Europian duhet ta ndryshojë qasjen ndaj rajonit sepse ka interes të ndërsjellë, njofton Klan Kosova.

    “Ky është një takim shumë i rëndësishëm sepse këtu bëhemi bashkë për paqe. Bashkimi për paqe është kushti për paqe të qëndrueshme që mundëson të lulëzojnë popujt, shtetet dhe mbarë shoqëria njerëzore. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për ide që na bëjnë bashkë. Ndër rreziqet më të mëdha të njerëzimit është përçarja; prandaj samitet e tilla janë të rëndësishme”.

    “Kjo është detyra jonë kryesore që sa më shumë të mundemi t’i bëjmë njerëzit bashkë duke ndarë vlerat e përbashkëta dhe duke kuptuar se angazhimi për paqen është ai që na mundëson përparimin. Para 30 vjetëve ka rënë muri i cili na ndante në kohën e Luftës së Ftohtë – luftë kjo që morri fund”.

    “Ftohtësitë kanë vazhduar sepse në vend të një muri të madh, tani kemi shumë mure të vogla të cilat na ndajnë. Prandaj për t’i hequr këto mure, është e domosdoshme të themi se kemi nevojë për paqe kurdo dhe kudo. Kjo paqe është edhe amanet edhe ideal i brezave që sakrifikuan për të, por edhe nevojë për rininë”.

    “Është e domosdoshme që për paqe ne t’i bëjmë aktive qëllimet tona. Kosova dhe Shqipëria duan që të anëtarësohen në BE dhe NATO. Pikërisht këto vlera tona të përbashkëta dhe ky interes duhet të bëhet sa më aktiv në rajon dhe më gjerë, në mënyrë që paqja dhe stabiliteti të ndërtohet brenda shteteve tona”.

    “Përveç fqinjësisë së mirë që vendet e Ballkanit kanë nevojë dhe integrimit, duhet të ndryshojë edhe rajoni edhe BE-ja sepse këto dyja janë shumë të rëndësishme për njëra-tjetrën”.

    “Brenda shteteve tona duhet ta luftojmë varfërinë, pabarazinë dhe padrejtësinë. Në Kosovë nëse i pyet jo vetëm shqiptarët, por edhe komunitetet tjera se cilat janë preokupimet tuaja kryesore, ata do të thonë se janë punësimi dhe drejtësia”.

    “Qytetarët duan vende pune dhe duan drejtësi që mos të jenë të diskriminuar apo të privilegjuar. Si Vetëvendosje kemi arritur të fitojmë në këto zgjedhje dhe puna më e madhe mbetet para nesh. Duhet t’i plotësojmë dëshirat e atyre që na e kanë dhënë votën”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!