Albin Kurti uron Ditën Ndërkombëtare të Romëve

Në nder të 50 vjetorit të Ditës Ndërkombëtare të komunitetit Rom, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në takim një delegacion nga ky komunitet, i përbërë nga deputeti Erxhan Galushi, zëvendësministri për Kthim dhe Komunitete, Gazmend Salijević, zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Sejnur Veshall dhe përfaqësues të shoqërisë civile, me ç’rast ua uroi atyre dhe të gjithë komunitetit Rom, Ditën Ndërkombëtare të Romëve.


Në përvjetorin jubilar të mbajtjes së Kongresit të Parë të Romëve në Londër më 1971, kryeministri Kurti tha se Kushtetuta dhe ligjet tona, garantojnë njohje të statusit dhe përfaqësimit të komunitetit Rom në parlament, administratë dhe qeveri, në mënyrë shembull për të gjithë botën.

Ai shtoi se Zyra e Kryeministrit dhe qeveria do të angazhohen për të ofruar mundësitë e barabarta, duke ofruar edukim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale për të gjithë njësoj e pa dallim, sepse shoqëria jonë është e fortë aq sa kujdeset për më të ndjeshmit.