×
  • Lajme
  • Lajme

    Albin Kurti zbulon emrat e serbëve që planifikon t’i inkuadrojë në qeverinë e tij

    Reporteri
    10 Tetor 2019 | 19:10

    Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se ardhja e tij në postin e kryeministrit, do të thotë fillimi i qeverisjes së mirë me një njeri, i cili e kupton që politika është shërbim, që politika është përfaqësim, dhe që politika është vullnet e vizion. Ai thekson se dialogun politik me Serbinë do ta udhëheqë ai, dhe se presidenti nuk do të mund të udhëheqë më me këtë proces.


    I pyetur nga Radio Evropa e Lirë se a do ta respektojë Kushtetutën që për të pasur një koalicion dhe fillimisht do të nis negociatat me serbët që nuk janë pjesë e Listës Serbe apo më pas do të bisedojë edhe me Listën Serbe, Kurti është përgjigjur se strategjia e tyre është që të shqyrtojnë të gjitha mundësitë për inkuadrimin e serbëve të Republikës së Kosovës, të cilët e njohin dhe e pranojnë shtetin tonë.

    “Natyrisht se ne do të respektojmë Kushtetutën, por të respektosh atë nuk do të thotë se nuk ke strategji politike. Strategjia jonë politike, e cila ka një bazë etike, është që fillimisht të kontaktojmë dhe të shohim të gjitha mundësitë për inkuadrimin e serbëve të Republikës së Kosovës, të cilët e njohin dhe e pranojnë shtetin tonë”, ka thënë Kurti.

    I pyetur se me kë konkretisht planifikon ta fillojë këtë dialog ai është përgjigjur:

    “Pa dyshim që emrat si Nenad Rashiq, Sllobodan Petroviq, Petar Miletiq e të tjerë, janë ata të cilët i kemi në mendje kur i mendojmë serbët, të cilët kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, kanë vendosur të jetojnë në Kosovë dhe duan që të kontribuojnë në shtet-ndërtimin demokratik dhe zhvillimin socio-ekonomik të vendit tonë, për dallim të atyre, të cilët i kanë dirigjentët në Beograd dhe vijnë në Kosovë për të provokuar. Unë besoj që qytetaret serbë të Kosovës pakrahasimisht kanë probleme më të mëdha me Beogradin, sesa me Prishtinën”, ka thënë Kurti.

     

    A

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!