Ka më shumë se një muaj që kur të gjitha lokalet hoteliere janë mbyllur, e pak pas tyre edhe shesheve i janë vënë shirite, për të mos u shfrytëzuar nga qytetarët. E gjithë kjo, në kadër të masave mbrojtëse, për mos përhapjen e virusit corona.
Pamje të tilla të fusin frikën, për faktin se Prishtina, e cila pothuajse fare pak flinte, tani duket qytet fantazmë.
Gazeta Online “Reporteri.net” në bashkëpunim me fotografin e njohur Kushtrim Tërnava, në kuadër të një serie albumesh me fotografi që pasqyrojnë përballjen e vendit me pandeminë COVID-19, sot sjell imazhe të shesheve të kryeqytetit, pjesë ku janë të përqëndruara kafenetë dhe restorantet më të frekuentuara.
Këto fotografi janë realizuar rreth orës 12:00, të ditës së hënë, kohë kur zakonisht ato ishin të mbushura përplot, kur punojnësit e institucioneve publike, e edhe ata të sektorit publik, dilnin për drekë gjatë pauzës në punë.
Kosova së fundmi ka aplikuar masa shumë të ashpra që kufizojnë lëvizjen e qytetarëve, dhe ende nuk dihet se kur do të fillohet me lehtësimin e tyre.
Pandemia globale që ka goditur edhe Kosovën, ka paralizuar komplet jetën ekonomike dhe sociale në vend. /Reporteri.net/.