×
  • Lajme
  • Lajme

    Ambasada e Sllovenisë në Prishtinë: Presidenti Pahor vjen në Kosovë si përgatitje për Samitin e Brdo-Brijunit

    Reporteri
    12 Maj 2021 | 13:08

    Autor: Mirlind Behluli


    Nesër Kosovën do ta vizitojë Presidenti i Sllovenisë, Borut Pohar, ku pritet të takohet me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Këtë gjë e ka konfirmuar më herët gjatë ditës Presidenca e Kosovës.


    Këshilltari i Presidentes Osmani, Bekim Kupina, i tha Gazetës Reporteri.net se shefja e shtetit do ta ketë një takim me me presidentin slloven.

    “Mundem me ta konfirmu që vjen nesër. Po [Presidentja Osmani do të takohet]”, tha Kupina për Reporteri.net.

    Të njëjtën gjë e ka konfirmuar edhe Ambasada e Sllovenisë në Prishtinë për Reporteri.net duke treguar se një takim i tillë do të mbahet si rrugë për përgatitjen e samitit të Brdo-Brijunit.

    “Presidenti Pahor do të takohet me homologen e tij Osmani në përgatitje për Samitin e 17 majit të Procesit të Brdo-Brijuni”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Sllovene në Prishtinë për Reporteri.net.

    Pahor nuk do të takohet me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

    Kujtojmë që kohë më parë mediat sllovene kanë publikuar një “non-paper” i cili aludohet të jetë shkruar nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, e në të cilin flitej për rikonfigurimin e kufijve në Ballkan përfshirë ndryshimet e kufirit të Kosovës e Bosnjës.

    Por, këto raportime të mediave i pati mohuar Presidenti i Sllovenisë, Pohar.

    Javën që shkoi Pohar ka qëndruar për vizitë zyrtare në Shqipëri ku u takua me krerët e shtetit shqiptar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!