×
  • Lajme
  • Lajme / Ngërçi

    Ambasadori britanik në OSBE: Urgjente që Kosova të ketë qeveri të re, jemi të shqetësuar për veprimet e pakoordinuara në veri

    Reporteri
    29 Maj 2025 | 18:55

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në OSBE, Neil Holland, në një mbledhje të mbajtur sot në Vjenë, ka folur për situatën e sigurisë dhe atë politike në Kosovë.

    Holland ka përmendur zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt, teksa ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar vazhdon t’ua nënvizojë bashkëbiseduesve në Kosovë nevojën urgjente për formimin e qeverisë së re.

    “Ne vazhdojmë t’ua theksojmë përfaqësuesve kosovarë, urgjencën e formimit të qeverisë”, është cituar të ketë thënë ai.

    Ai ka thënë se shteti i tij ndan shqetësime të theksuar në raportin e Misionit të OSBE-së, për nivelin e tensioneve në komunat veriore gjatë periudhës së raportimit.

    Sipas tij, Mbretëria e Bashkuar është veçanërisht e shqetësuar për mënyrën e pakoordinuar të mbylljes së institucioneve dhe objekteve në veri të Kosovës.

    “Mbretëria e Bashkuar ndan shqetësimet e theksuara në raportin  e Misionit mbi nivelin e tensioneve në katër komunat veriore gjatë periudhës së raportimit. Ne jemi veçanërisht të shqetësuar nga mënyra e pakoordinuar e mbylljes së institucioneve dhe objekteve në veri të Kosovës, të cilat ofrojnë shërbime jetësore për serbët e Kosovës dhe komunitetet e tjera jo-shumicë. Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të inkurajojë Qeverinë e Kosovës që të sigurojë që komunitetet jo-shumicë të mund të luajnë një rol të plotë dhe të barabartë në të ardhmen e vendit, dhe të mbështesë angazhimet e Kosovës si një shtet gjithëpërfshirës dhe shumetnik”, ka thënë ai.

    Britania e Madhe u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të angazhohen me konstruktivitet në dialog, ndërsa ka përsëritur po ashtu kërkesën që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Mospërmbushja e zotimeve, sipas Britanisë së Madhe, ka ndikime negative në jetën e përditshme te qytetarët në Ballkanin Perëndimor.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!