×
  • Lajme
  • Lajme / Reagim

    Ambasadori britanik reagon për kërcënimet me jetë që po i bëhen presidentes Osmani: Heshtja s’është opsion

    Reporteri
    29 Maj 2025 | 14:36

    Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, është  shprehur ‘‘thellësisht i shqetësuar’’, me kërcënimet me jetë që presidentja Osmani ka marrë gjatë ditëve të fundit.

    Ai ka deklaruar edhe se, dhuna në bazë gjinore, duke përfshirë këtu edhe atë që bëhet përmes internetit, nuk ka vend në shoqërinë tonë.

    Ambasadori britanik këtë koment e ka bërë pasi ka ndarë reagimin e ‘‘UN Women Kosovo’’, Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore pikërisht lidhur me kërcënimet e bëra ndaj Osmanit, grup i cili ka dënuar ashpër këto kërcënime.

    ‘‘Jam thellësisht i shqetësuar nga kërcënimet e fundit dhe vala në rritje e gjuhës së urrejtjes që po drejtohet ndaj grave, veçanërisht ndaj atyre në role udhëheqëse. Dhuna me bazë gjinore – përfshirë atë në internet – nuk ka vend në shoqërinë tonë. Ne qëndrojmë në krah të Grupit për Siguri dhe Barazi Gjinore dhe e mbështesim plotësisht deklaratën e tyre të përbashkët. Në kohë si këto, heshtja nuk është një opsion. Ne zgjedhim solidaritetin.

    Ashtu siç ka thënë Jess Phillips, Ministre britanike për Mbrojtjen dhe Luftën kundër Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave: “Asgjë nuk do të ndryshojë, nëse nuk e bëjmë sistematike që kushdo që përballet me një viktimë apo një dhunues, ta ndjejë si detyrë thelbësore të ndërmarrë veprim’’, ka shkruar ai.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është kërcënuar  përmes emailit zyrtar të Presidencës së Republikës së Kosovës. Ajo ka marrë disa mesazhe kërcënuese në ditët e fundit. Policia e Kosovës ka konfirmuar  se ka iniciuar rast penal lidhur me kërcënimet me jetë që janë bërë ndaj Presidentes Osmani. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!