Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot ka pasur mesazhe të qarta gjatë një paraqitje në një konferencë të tij sot, ku tha se Kosova nuk është e izoluar, përveç nëse e izolon vetën.
Guerot u shpreh se partnerët ndërkombëtarë e kanë përkrahur në vazhdimësi Kosovën.
“Kam dy mesazhe shumë të thjeshta. I pari, Kosova nuk është e izoluar, përveç nëse e izolon vetën. Nuk jeni të izoluar, ne QUINT-i iu kemi përkrahur për vite…përkrahja jonë është ende këtu, përkrahja evropiane, nuk jeni të izoluar. Kosova nuk është ishull, është në mes të rajonit, është pjesë e kontinentit. Kemi pasur takimin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë para dy javësh, Kosova ishte pjesë e asaj” – u shpreh ai, transmeton Nacionale.
Tutje, ai tha se Kosova e izolon vetën duke mos dëgjuar miqtë e duke “shitur moral”.
“Nuk jeni të izoluar, përveç nëse e izoloni vetën. Si e izoloni vetën? Duke mos dëgjuar miqtë, duke bërë moral, duke gjetur të gjitha arsyet që mos t’u bindeni përkushtimeve. Kështu që lutja është: dëgjoni miqtë tuaj” – tha Guerot.