×
  • Lajme
  • Lajme / Kriza institucionale

    Ambasadori francez zbulon se Kurti i ftoi vetë diplomatët e QUINT-it për takim: Formimi i Qeverisë, hap i nevojshëm

    Reporteri
    13 Maj 2025 | 14:23

    Ambasadori francez, Olivier Guerot, ka shkruar për takimin e djeshëm që patën ambasadorët e vendeve të QUINT-it me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

    Diplomati francez ka treguar se takimi u zhvillua me iniciativë të Kurtit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Ambasadori francez tha se temë e  diskutimit ishte integrimi evropian i Kosovës dhe formimi i institucioneve.

    “Së bashku me ambasadorët e tjerë të QUINT-it dhe të BE-së, takova kryeministrin në detyrë Albin Kurti, me iniciativën e tij. Pata një bisedë të mirë mbi integrimin europian të Kosovës dhe çfarë duhet bërë në këtë drejtim. Formimi i një qeverie është një nga hapat e nevojshëm”, ka shkruar Guerot.

    Në njoftimin që lëshoi dje Zyra e Kryeministrit për këtë takim thuajse e tërë përmbajtja ishte e fokusuar te procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Europës, të cilën ZKM e prezantoi si “temë qendrore e takimit”.

    Ambasadorë të vendeve të QUINT-it kanë dhënë deklarata krejt të ndryshme me Qeverinë e Kosovës për takimin ndërmjet tyre dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

    Në një njoftim të Ambasadës sw Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u tha se e ngarkuara me punë, Anu Prattipati nw takim theksoi nevojën që liderët politikë të Kosovës të bashkëpunojnë për të konstituuar Kuvendin dhe për të formuar një qeveri të qëndrueshme në përputhje me Kushtetutën.

    Përderisa në njoftimin e ZKM-së u tha se temë qendrore e takimit ka qenë procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ambasadorët deklaruan se në takim u fol për nevojën e krijimit sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Ambasadori britanik Jonathan Hargreaves përmes një deklarate në Facebook, tha se e ka inkurajuar Kurtin për formimin e qeverisë së re.

    Edhe Ambasada e Italisë në Kosovë njoftoi se në takim është theksuar nevoja për formimin sa më të shpejt të një qeverie të re, që Kosova të ecë përpara në rrugën euroatlanatike.

    Takimi i Kurtit me QUINT, ambasadorët thanë se folën për nevojën e krijimit të Qeverisë – ZKM për krejt tjetër temë

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!