Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ka thënë në DESK të KTV-së se kush e refuzon përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçakun, e refuzon edhe Gjermaninë.
“Do të mendohesha dy herë para se të refuzoja të flisja me të, po them prapë, si përfaqësues i krejt Bashkimit Evropian, dhe këtu përfshihet edhe Gjermania si shtet anëtar. Kështu që kush refuzon zotin Lajçak e refuzon edhe Gjermaninë”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se personalisht nuk e njeh Lajçakun, por ai është “person me shumë përvojë dhe shumë i besueshëm dhe njeriu i duhur për këtë detyrë”.
Heldti i ka quajtur raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë çështje shumë të rëndësishme në “hartën e përgjithshme të stabilitetit evropian”.
“Kështu që ne vazhdojmë t’i qëndrojmë besnikë qëndrimit, sikur thonë, marrëveshjes së detyrueshme legalisht dhe mbi të gjitha marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Kur them marrëveshje gjithëpërfshirëse e kam fjalën për aso që nuk lë më hapur çështje të hapura”, ka thënë ai, duke shtuar se marrëveshja është e rëndësishme edhe për integrimin evropian.