Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka theksuar nevojën për kalimin e Projektkodit Civil, në fjalimin që ka mbajtur dje në hapjen e Javës së Krenarisë.
Westerlund ka theksuar edhe nevojën për strehimore për komunitetin LGBTQ+.
“Dje mbajta fjalën hyrëse në hapjen e “Prishtina Pride 2024”. Theksova nevojën për miratimin e kodit civil, njohjen ligjore të identitetit gjinor dhe nevojën për strehimore për LGBTQ+ në Prishtinë”, thuhet në postimin e tij në platformën X.
Held an opening speech at the launching event of Pristina Pride 2024 yesterday. Underlined the need to adopt the civil code, legal recognition of gender identity and the need for LGBTQ+ shelters in Pristina. pic.twitter.com/tadcrRLxiR
— Ambassador of Sweden to Kosovo (@AmbSwedenKosovo) June 4, 2024
Kundër këtij Projektkodi, kanë dalë disa deputetë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, disa herë kishte deklaruar se do të dërgohej për votim në Kuvend Projekt-Kodi civil, por kjo nuk ndodhi.
Për herë të parë, Kodi Civil ishte proceduar për miratim në vitin 2022 por që ai nuk ishte miratuar nga ana e Kuvendit të Kosovës me 16 mars 2022. Përkundër sigurimit të kuorumit për këtë projektligj, ai kishte marrë vetëm 28 vota për, ndërsa 29 kundër dhe 4 abstenime. Në seancë ishin të pranishëm edhe 16 deputetë të pranishëm por ata nuk morën pjesë fare në votim. Në procesin e votimit nuk kishte marrë pjesë deputetët e opozitës.
Projektligji ishte kundërshtuar kryesisht nga disa deputetë të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Disa prej tyre kishin përmendur edhe gjuhë jo të përshtatshme, gjuhë të cilën e kishte kritikuar në po të njëjtën seancë edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. /Reporteri.net/