Autor: Shkumbin B. Kajtazi
Schellsie Beaubrun është një 27 vjeçare që ka ardhur nga Florida e SHBA-së për të mësuar gjuhën angleze për fëmijët e fshatit Brekoc të Gjakovës.
Ajo po qëndron në fshatin ku punon prej shtatë muajsh, dhe është lidhur mjaft shumë me fëmijët që i ka nën kujdes gjatë orëve të anglishtes.
Schellsie për Reporterin ka rrëfyer të dhënit mësim për fëmijët kosovarë, duke e konsideruar këtë proces si një çmenduri.
“Të punosh me fëmijët kosovarë është çmendur, çmenduri në kuptimin e mirë, sepse asnjëherë nuk e di se çfarë do të pres kur nisem rrugës për në klasë, asnjëherë nuk e di se çfarë energjie do të marr, por shumicën e kohës energjia është shumë e madhe, ata janë gati për t’ia nisur, gati për atë çfarë mësuesi do t’u mësojë sot, si do të mësojmë, çfarë do të mësojmë?”, thotë ajo.
Ndër të tjera, mësuesja amerikane thotë se nxënësit e saj e duan vendin nga vjen ajo, duke shtuar se “ata i shohin amerikanët si heronj”.
Jeta në një fshat kosovar për të është një eksperiencë e jashtëzakonshme. Madje, ajo e quan botë tjetër.
“Ëëëë… të jetosh në Kosovë është si të jetosh në një botë tjetër, një botë komplet ndryshe nga bota ime. Është diçka e re dhe unë po kënaqem në këtë eksperiencë”, rrëfen Schellsie.
Ajo nuk e di nëse do të jetonte përgjithmonë në Kosovë, por është e bindur se dëshiron ta shijojë kohën sa do të jetë këtu.
Ndër të tjera, me pasion flet për ushqimin. Për Schellsien, pite me patate është ushqimi më i preferuar, por duke mos lënë anash as pasulin dhe lakrat, të cilat i han me mish por edhe pa të.
Amerikanja 27 vjeçe foli me dashuri për nxënësit, punën dhe ushqimin, por fjalë të njëllojta ka edhe për Kosovën.
“Kosova është diamant, është thesar, është thesar i fshehur mes maleve, i rrethuar nga malet dhe është në procesin e rikuperimit. Për momentin njerëzit këtu janë duke u rikuperuar, por unë besoj se një ditë bota do ta shoh diamantin që Kosova është”, përfundon Schellsie.
Ndiqni rrëfimin që iu sjell Reporteri.net: