×
  • Lajme
  • Lajme / Konsultimet e rregullta

    Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Kosova dhe Zvicra mbajnë takimin konsultativ

    Reporteri
    03 Maj 2024 | 10:02

    Republika e Kosovës dhe Konfederata e Zvicrës kanë mbajtur konsultimet e rregullta dypalëshe në takimin e zhvilluar mes dy delegacioneve nga të dyja shtetet respektive të udhëhequra nga Ilir Muçaj, u.d. Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës dhe Muriel Peneveyre, Ndihmës Sekretare e Shtetit, Ambasadore dhe Shefe e Divizionit për BE dhe Azi në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Zvicrës.

    Në njoftimin për media thuhet se gjatë takimit u vlerësuan lartë marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve dhe u shpreh gatishmëria për bashkëpunim në fusha me interes të përbashkët.

    Palët diskutuan për mënyrat e avancimit të bashkëpunimit ekonomik dhe rolin e rëndësishëm të diasporës zvicerane në Kosovë në forcimin e lidhjeve dypalëshe.

    Njëra nga temat kryesore ishte procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

    Përfaqësuesit e Zvicrës vlerësuan përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës në këtë drejtim dhe shprehën mbështetjen e tyre për integrimin e mëtejmë ndërkombëtar të vendit.

    Më 16 prill, Kosova mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, në hapin e parafundit për anëtarësimin e plotë në këtë organizëm.

    Raporti i Dora Bakoyannis bindi anëtarët e Asamblesë të cilët votuan pozitivisht rekomandimin për anëtarësimin e Kosovës duke përmbyllur kështu një hap që konsiderohej tejet i rëndësishëm para se të votojnë Ministrat dhe të përmbyllet plotësisht anëtarësimi në KiE.

    Pas marrjes së dritës së gjelbër në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, më 16 prill, vendimin përfundimtar për Kosovën pritet ta sjellë Komiteti i Ministrave i kësaj organizate, më 16 maj.

    Deri atëherë, Kosova duhet të vazhdojë t’i bindë së paku dy të tretat e 46 anëtarëve të saj përse duhet të jetë në mesin e tyre.

    Dhe hapa pozitivë në këtë drejtim duket se janë pikërisht ata që çojnë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe./Reporteri.net/.

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!