Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka anuluar tenderin për shtypjen e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave të votuesve për zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale.
Vlera e parashikuar për këtë tender ka qenë 551 mijë e 130 euro, shkruan Reporteri.net.
Në dosjen e tenderit të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik thuhet se tenderi është anuluar në mungesë të ofertuesve të përgjegjshëm.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve anulon aktivitetin e prokurimit: Shtypja e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave të votuesve për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 2025 dhe Zgjedhjet Lokale 2025, në mungesë të ofertuesve të përgjegjshëm”, thuhet në njoftim.
Për këtë tender kishin dorëzuar ofertat pesë kompani e konsorciume.
Konsorciumi “Cetis d.d; CETKOS L.L.C. Copova 24. 3000 Celje/Sllovenia” kishte ofertuar me çmim 776 mijë e 232 euro. Kompania “EUROPRINTY” kishte ofertuar me vlerë 374 mijë e 739 euro, derisa “Dukagjini” Sh.p.k 509 mijë e 453 euro. Konsorciumi “NTSH Diari; Kiro Dandardo LLC”, ka ofertuar me 623 mijë e 245 euro, derisa Ndërmarrja Tregtare Grafike “Blendi O.P”, ka ofertuar për 530 mijë e 569 euro.
Përmes këtij tenderi parashihej furnizimi me fletëvotime për Kuvend të Kosovës, broshurën e kandidatëve për Kuvend të Kosovës, fletëvotimi për Kuvend Komunal, broshura e kandidatëve për Kuvend Komunal, Fletëvotimi për Kryetar të Komunës, lista e votuesve dhe lista e votuesve për vendvotimet me kusht.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.