Serbia është afër nënshkrimit të një marrëveshjeje për blerjen e 12 avionëve luftarakë francezë Rafale, njoftoi të martën presidenti serb, në atë që do të shënonte një ndryshim nga furnizuesi i saj tradicional ushtarak Rusia.
Presidenti Aleksandar Vuçiq foli gjatë vizitës së tij dy-ditore në Paris dhe bisedimeve me presidentin francez Emmanuel Macron si dhe me zyrtarë francezë të mbrojtjes duke përfshirë prodhuesin e Rafale Dassault Aviation.
Vuçiq tha se ai pati një bisedë shumë të mirë me Macron të hënën mbrëma, e cila zgjati më shumë se tre orë dhe se ata “arritën marrëveshje konkrete në lidhje me blerjen e avionëve luftarakë Rafale”.
Ai tha se kontratat do të nënshkruhen në dy muajt e ardhshëm në prani të Macron, duke shtuar se blerja e avionëve të sofistikuar do të zgjerojë në mënyrë drastike bashkëpunimin ushtarak dhe të tjera midis dy shteteve.
Vuçiq pas takimit me Macronin konfirmon se Serbia do të blejë avionët luftarakë “Rafale” nga Franca
Detajet financiare të marrëveshjes së mundshme nuk janë bërë të ditura, por media pro-qeveritare serbe e vlerësoi atë në rreth 3 miliardë euro (3.2 miliardë dollarë) për të gjithë paketën.
Serbia ka konsideruar blerjen e avionëve të rinj Rafale për më shumë se dy vjet që kur rivalja fqinje në Ballkan, Kroacia bleu 12 avionë luftarakë të përdorur të të njëjtit lloj për rreth 1 miliard euro.
Siç shkruan agjencia e lajmeve “Associated Press”, Blerja e mundshme e avionëve Rafale do t’i lejonte Serbisë të modernizonte forcën e saj ajrore të përbërë kryesisht nga avionë luftarakë MiG-29 të prodhimit sovjetik, si dhe avionë luftarakë jugosllavë të vjetër.
Rusia ka qenë një furnizues tradicional i avionëve ushtarakë, duke përfshirë helikopterë luftarakë, për Serbinë, e cila ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës për pushtimin e saj në Ukrainë.
Armatosja e shpejtë nga ushtria serbe ka shqetësuar disa nga fqinjët e saj pas shpërbërjes së përgjakshme të ish-Jugosllavisë në vitet 1990. Serbia, një kandidate e Bashkimit Evropian, është pothuajse tërësisht e rrethuar nga vendet anëtare të NATO-s, shkruan AP.
Tutje mediumi shkruan se kritikët e armatosjes perëndimore të Serbisë thonë se shitja e avionëve të sofistikuar francezë mund ta inkurajojë Vuçiqin që ndoshta të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë, duke përmendur se “udhëheqësi populist serb ka bërë disa kërcënime të tilla të fshehta gjatë muajve të fundit”. /Reporteri.net/