×
  • Lajme
  • Lajme

    Apeli e vërteton aktgjykimin lirues ndaj zyrtares ligjore të MMPH-së

    Reporteri
    27 Dhjetor 2021 | 10:11

    Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore në Prizren ndaj zyrtares ligjore të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Hadije Kasumi, e akuzuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

    Gjykata Themelore në Prizren me aktgjykim të datës 16 qershor 2021, e kishte liruar nga akuza për korrupsion të akuzuarën Hadije Kasumi.

    Në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren është vërtetuar se në veprimet e të akuzuarës Hadije Kasumi nuk formohen elementet qenësore të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 par.l. lidhur me par.2 nënpar.2.2 të KP, pasi që kjo nuk ishte vërtetuar me asnjë provë relevante të administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor.

    Po ashtu Gjykata kishte gjetur se në veprimet e të akuzuarës Hadije ka munguar dashja direkte, dëmi-si element qenësor, elemente këto që e bëjnë një veprim inkriminues, për çka edhe ekziston përgjegjësia penale.

    Andaj, në mungesë të këtyre elementeve esenciale që do të përbënin figurën e veprës penale sipas aktakuzës, gjykata gjeti se veprimet e të akuzuarës nuk paraqesin veprime inkriminuese, se në veprimet e saja nuk formohen elementet qenësore të veprës penale, për çka edhe e liroi nga akuza, raporton Betimi për Drejtësi.

    Po ashtu Prokuroria me asnjë provë nuk ka mundur të dëshmoj se i është shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit.

    E pakënaqur me vendimin Prokuroria Themelore në Prizren kishte kërkuar që ky aktgjykim të prishet dhe të kthehet në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave procedurale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së ligjit penal.

    Sipas Prokurorisë, Gjykata me rastin e aktgjykimit lirues ka bërë shkelje të dispozitave të procedurës penale, ngase nuk ka paraqitur qartë dhe në mënyrë të plotë se në cilat fakte dhe prova është bazuar në lirimin e të akuzuarës si dhe nuk ka arsyetuar faktet dhe provat me rastin e vërtetimit të mos ekzistimit të veprës penale dhe përgjegjësisë penale të të akuzuarës.

    Po ashtu, Prokuroria ka konsideruar se gjykata në mënyrë selektive i ka përshkruar provat si dhe pjesërisht ka përshkruar deklaratën e dëshmitarit Refik Muzbeg, e po ashtu nuk ka arsyetuar deklaratën e inspektorit Bashkim Krasniqi.

    Në ankesë po ashtu theksohet se gjykata e shkallës së parë me aktgjykim lirues ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumën prej 75.000 euro.

    Ndërsa avokati mbrojtës i të akuzuarës Kasumi, avokat Hazër Susuri në përgjigjen e tij ndaj ankesës kishte propozuar që të vërtetohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren dhe ankesën e Prokurorisë ta refuzoj si të pabazuar.

    Gjykata e Apelit pas mbajtjes së seancë së kolegjit si dhe shqyrtimit të ankesës ka vlerësuar se ankesa e Prokurorisë nuk është e bazuar.

    Sa i përket pretendimeve se aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren ka shkelje esenciale të dispozitave procedurale, Gjykata e Apelit ka gjetur se ky aktgjykim është i kuptueshëm, në të nuk ka kundërthënie me vetveten e as me arsyet e tij, është i çartë dhe konkret dhe se përmban të gjitha arsyet e duhura për faktet relevante të çështjes.

    Tutje në këtë aktgjykim të Apelit vërtetohet se Gjykata Themelore në Prizren me të drejtë ka vërtetuar se Prokuroria Themelore në Prizren nuk ka përcaktuar e as dëshmuar se si dhe në çfarë mënyrë e akuzuara me veprimet e veta i ka tejkaluar detyrat e saja zyrtare, duke i shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit.

    Ndërsa sa i përket pretendimeve se aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren ka vërtetuar gabimisht apo jo plotësisht gjendjen faktike, Gjykata e Apelit konstatoi se kjo nuk qëndron pasi që Gjykata Themelore në Prizren ka vërtetuar drejtë dhe saktë gjendjen faktike e kjo në bazë të deklaratave të dëshmitarëve Bashkim Krasniqi Liman Morina Muhamet Kurtaj, Sabrije Rama dhe Refki Muzbeg si dhe vet deklaratës së të akuzuarës Hadije Kasumi e po ashtu provave materiale të lëndës.

    Nga të gjitha këto, në veprimet e të akuzuarës Hadije Kasumi nuk mund të karakterizohen si veprime inkriminuese të cilat për pasojë do të bartnin përgjegjësi penale dhe se nuk është provuar se veprimet e të akuzuarës ishin të kundërligjshme dhe se ishin në kundërshtim me interesat dhe detyrat e shërbimit dhe se të njëjtat nuk i ka zëvendësuar me interesat e veta apo që dikujt t’i sjellë dobi ekonomike.

    Sa i përket pretendimeve se aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren ka shkelje të ligjit penal, Gjykata e Apelit konstatoi se veprimet e të akuzuarës nuk kanë lidhje kauzale me rrënimin e objektit pasi që objekti është rrënuar, më datë 29.03.2018, e akuzuara ka marr vendimin në MMPH andaj edhe në bazë të kësaj gjykata drejtë ka aplikuar edhe ligjin penal kur të akuzuarën e ka liruar nga akuza pasi që qartazi nga provat e administruara nuk është rezultuar si e provuar tiparet e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtar nga neni 422 pasi që qartazi nga provat e administruara nuk kanë rezultuar si të provuara tiparet e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare e as kanë qenë të përshkruara veprimet inkriminuese në dispozitiv të aktakuzës që do të përbënin figurën e veprës penale për të cilën është akuzuar, andaj edhe për rrjedhojë Gjykata nuk ka mundur të ketë alternativë tjetër të aplikimit të ligjit penal.

    Në fund Gjykata e Apelit arriti në përfundim të arsyeshëm se nga provat e zbatuara nuk është vërtetuar se e akuzuara ka kaluar kompetencat e saj apo nuk i ka përmbushur detyrat e saj zyrtare andaj edhe me të drejtë e akuzuara është liruar nga akuza për veprën penale për të cilën është e akuzuar.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 4 dhjetor 2019, Hadije Kasumi akuzohej se gjatë vitit 2018, në cilësinë e personit zyrtar, si zyrtare ligjore në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), në Prishtinë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të saj me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

    Në aktakuzë thuhet se e akuzuara, më 21 mars 2018, merr vendim me të cilin shfuqizon aktvendimin e datës 21 mars 2018, të Drejtorisë për Inspeksion të Ndërtimtarisë në Komunën e Prizrenit, me ç’rast gjatë vendosjes në shkallë të dytë, me ankesë të palës nga Drejtoria e Inspeksionit dhe Urbanizmit të Komunës së Prizrenit, nuk kërkon shkresat dhe dokumentacionin e vendosjes në shkallë të parë lidhur me mosdhënie të lejes për ndërtim qytetarit Driton Morina, me ç’rast kishte për të ardhur në përfundim se në çështjen konkrete nuk ka pasur heshtje administrative rreth kërkesës për leje-ndërtim siç pretendon Morina, në padinë e kompensimit të dëmit lidhur me rrënimin e objektit.

    Sipas aktakuzës, pasi Komuna e Prizrenit-Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, më 30 gusht 2017, ka hudhur kërkesën për leje ndërtimore, e pandehura me marrjen e një vendimi në shkallë të dytë e aprovon ankesën e Luan Morinës dhe e kthen çështjen në rishqyrtim, duke u bazuar vetëm në shkresat e palës, e cila ka parashtruar ankesë, dhe kështu i mundëson Morinës në kontestin civil të kërkojë kompensimin e dëmit në shumë prej 70,000 euro për rrënim të objektit, duke dëmtuar për këtë shumë Komunën e Prizrenit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!