×
  • Lajme
  • Lajme

    Apeli refuzon kërkesën për përjashtimin e gjyqtares në rastin “53-milionëshi”

    Reporteri
    04 Korrik 2025 | 15:27

    Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar ankesën e mbrojtjes së të akuzuarit Eset Berisha për përjashtimin e gjyqtares Violeta Namani-Hajra nga gjykimi në rastin e njohur si “53-milionëshi”. Me këtë vendim, Apeli ka vërtetuar qëndrimin e Gjykatës Themelore, duke lejuar që gjyqtarja Namani-Hajra të vazhdojë me trajtimin e çështjes.

    Kjo është konfirmuar nga mbrojtësja e të akuzuarit Berisha, avokatja Teutë Xhema.

    “Ankesa është refuzuar”, ka deklaruar avokatja Xhema për “Betimi për Drejtësi”

    Seanca e rigjykimit në këtë rast është caktuar të mbahet më 23 korrik 2025.

    Vendimi i Gjykatës së Apelit vie pas atij të Themelores së e cila kishte refuzuar kërkesën për përjashtimin e Namani-Hajrës për gjykimin e 53 milionshit e të cilin vendimin mbrojtja e Berishës e kishte atakuar me ankesë për në Gjykatën e Apelit.

    Në seancën e rigjykimit më 14 maj 2025, i akuzuari Eset Berisha kërkoi përjashtimin e gjykatëses Namani-Hajra. Avokatja e Berishës, Teutë Xhema, tha në atë sancë se këtë kërkesë e kanë bërë për shkak të dyshimit për mungesë të paanshmërisë.

    Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 janar 2024 i shpalli fajtorë dhe i dënoi me 10 vjet e 3 muaj burigm (së bashku): Pal Lekajn, Eset Berishën, Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin për rastin e njohur si “53-milionëshi”.

    Sipas aktgjykimit të Themelores, Pal Lekaj u dënua me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata shpalli edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.

    Nebih Shatri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim, kurse Besim Tahiri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tyre u shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Ndërsa, Eset Berisha u dënua me 3 vite e 3 muaj burgim.

    Po ashtu, ndaj Berishës u shpall edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.

    Por, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit,

    “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar lidhur me përmbajtjen e vendimi të plotë të përpiluar nga Themelorja në Prishtinë, duke publikuar gjetjet e gjykatës nga mbrojtja e të akuzuarve dhe gjetjet nga deklaratat e dëshmitarëve. Po ashtu, edhe për gjetjet e Apelit.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit apo e njohur ndryshe si autostrada “Arbën Xhaferi”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!