Arben Vitia u bën thirrje aktivistëve të VV-së që të trokasin në çdo derë për të kërkuar votën për të në balotazh

Arben Vitia i LVV-së do të përballet në balotazh me Përparim Ramën e LDK-së në nëntor.

Vitia një ditë pas zgjedhjeve ka zgjedhur rrjetin social Facebook për të falënderuar qytetarët që e votuan për të udhëhequr me Prishtinën. Ndërsa u ka bërë thirrje aktivistëve që të trokasin derë më derë për të kërkuar votën. Ai ka thënë se LVV është në avantazh në këtë garë.

“Mbrëmë u mbajt rundi i parë i zgjedhjeve lokale, në një proces demokratik e të menaxhuar mirë. Me përulësi dua t’i falënderoj në rend të parë të gjithë qytetarët për kulturen e lartë në këtë proces zgjedhor demokratik dhe mbështetjen e tyre të fuqishme. Falënderim i përzemërt edhe për të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit që dje ishin në ballë të këtij procesi duke u kujdesur që vullneti i secilit qytetar të shkojë në adresën e duhur. Prishtina mbrëmë e ka vlerësuar planin tonë për kryeqytetin, duke na vendosur në avantazh në këtë garë. Ne jemi të gatshëm dhe do të jemi në ballë të sfidës së re të vendosur nga qytetarët.”, ka shkruar Vitia.

Ai është shprehur se në katër javët deri në balotazh do të jetë në cdo lagje e fshat të kryeqytetit për të paraqitur vizionin e tij, shkruan reporteri.net.

“Në katër javët që kemi përpara do të jemi në çdo lagje e fshat të qytetit për të paraqitur planet tona për kryeqytetin. Do të paraqesim ëndrrën tonë për Prishtinën. Të dashur aktivistë e vullnetarë të kësaj fushate, do të takohemi pa humbur kohë. Së bashku do të trokasim në çdo derë të qytetarëve tanë e bashkë do të flasim për alternativën tonë. Me këtë frymë do ta sjellim ndryshimin e do ta sigurojmë fitoren tonë të re, e cila do të jetë e secilit prej nesh. Mirë u takofshim sërish, drejt bashkëqeverisjes!”, tha Vitia.