Policia e Kosovës e ka konfirmuar arrestimin e baronit të drogës, Gëzim Çela.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet arrestimi i tij u bë në fshatin Dardani të Komunës së Ferizajt. Ai po shoqërohej edhe nga dy gra nga Shqipëria.
Ai dzshohet se po strehohej në shtëpinë e një shtetasi të Kosovës në një fshat të Vitisë, i cili dyshohet se e ka strehuar, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Hetuesit policorë nga DHTN-ja kanë arritur që sot rreth orës 17:55, të lokalizojnë vend-ndodhjen e të dyshuarit, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar. I dyshuari G.Ç., (mashkull shtetas i Shqipërisë), në momentin e arrestimit ishte në shoqëri me dy femra shtetase të Shqipërisë dhe një mashkulli nga Kosova. Dyshohet se shtetasi i Kosovës, ka strehuar për një kohë në shtëpinë e tij në një fshat të Vitisë, të dyshuarin nga Shqipëria. Arrestimi është kryer në fshatin Dardani të Ferizajt dhe hetuesit e anti-drogës gjatë operacionit të arrestimit të të dyshuarit janë mbështetur nga njësi tjera të PK-së.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Po ashtu, Policia ka njoftuar se për arrestimin janë njoftuar organet e drejtësisë dhe me urdhër nga prokurori i Departamentit të Krimeve të Rënda-Ferizaj është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit A.I., në një fshat të Vitisë dhe se gjatë kontrollit në shtëpi është gjetur dhe konfiskuar një AK-47 me 15 fishekë.
“Po ashtu, lidhur me rastin është njoftuar edhe Njësia FAST-ILECU të cilët në koordinim me organet e drejtësisë, do të merren me procedura rreth rasteve kur kemi të bëjmë me arrestime të personave që janë në kërkim ndërkombëtar.”, ka njoftuar Policia.
Policia e Kosovës do të vazhdojë aktivitetet në drejtim të sigurimit të një ambienti sa më të sigurt për qytetarët, arrestimin e personave të dyshuar dhe dërgimin e tyre para organeve të drejtësisë si dhe do të vazhdojë e të thellojë bashkëpunimin me policitë e shteteve mike, me theks të veçantë me Policinë e Shtetit.