Policia e Kosovës ka arrestuar nëntë persona në orët e hershme të së dielës në komunën e Zubin Potokut, në kuadër të një operacioni të urdhëruar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, shkruan Reporteri.net.

Operacioni, i koduar me emrin “Dosja 23”, është zhvilluar nga Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, në mbështetje edhe të njësive të tjera të specializuara policore.

Sipas njoftimit, personat e arrestuar dyshohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Reklamë

“Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar nëntë (9) persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile. Opercioni policor ndërlidhet me rastin e njohur si ‘Grupi i intelektualëve’”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar se për detajet e tjera të operacionit dhe veprimet e ndërmarra do të informohet publiku në momentin kur këto informacione mund të bëhen publike.

“Për detaje të mëtejshme lidhur me operacionin dhe veprimet e ndërmarra, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës do ta informojnë publikun në momentin kur informacioni mund të bëhet publik”, thuhet në njoftim.

Mbetjet mortore të 23 personave dyshohet të jenë gjetur në gërmimet në Kalludër dhe Jabukë të cilat nisën më 27 korrik dhe përfunduan më 21 gusht. Për katër javë, në këto lokacione u gjetën mbetje mortore të 23 personave, që dyshohet se i përkasin “Grupit të Intelektualëve” që ishin rrëmbyer nga forcat e Serbisë. /Reporteri.net/.

Reklamë