Policia e Kosovës ka arrestuar një nga të dyshuarit që javën e kaluar sulmuan gjinekologun Afrim Veliu, shkruan Reporteri.net.
Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se i njëjti është ndaluar për 48 orë dhe dyshohet për veprat penale “Kanosja” dhe “lëndim i lehtë trupor”.
“Njësia e hetimeve të përgjithshme e rajonit të Prishtinës, dje ka realizuar me sukses arrestimin e një personi të dyshuar lidhur me dy raste të ndara që rrezikuan sigurinë publike në lagjen Ulpiana, Prishtinë.
Më 20.05.2025, një qytetar u sulmua fizikisht nga një person i panjohur përballë ordinancës së tij, duke pësuar lëndime të lehta trupore. Katër ditë më vonë, më 24.05.2025, në hyrje të së njëjtës ordinancë, u gjet një granatë dore F-1 pa mekanizëm ndezës, e cila u largua në mënyrë të sigurt nga Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplodues (NJTME)”, thuhet mes tjerash në njoftimin e policisë.
Policia thotë se i dyshuari është arrestuar në Fushë Kosovë.
“Pas hetimeve të thelluara, dje në Fushë Kosovë është identifikuar dhe arrestuar njëri nga të dyshuarit. Gjatë bastisjes në adresën ku qëndronte me qira, janë sekuestruar prova relevante.
Me vendim të Prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë për veprat penale “Kanosja” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Hetimet janë duke vazhduar në koordinim të ngushtë me Prokurorinë, me qëllim të identifikimit të personave tjerë të përfshirë dhe zbardhjes së plotë të rastit.
Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe vigjilencën, dhe riafirmon përkushtimin e saj për garantimin e sigurisë publike, parandalimin e rreziqeve dhe zbulimin e çdo vepre penale që cenon rendin dhe qetësinë publike. Siguria juaj, misioni ynë”, thuhet në njoftim.
Të dielën Gazeta Online Reporteri.net raportoi se në ordinancën e tij po dyshohej për një mjet shpërthyes.
Gjinekologu Afrim Veliu u godit me një mjet metalik teksa po futej në veturë, javën e kaluar, të premtën mbrëma në lagjen e tij në Ulpianë.
Për atë që kishte ndodhur kishte folur edhe vetë gjinekologu, i cili kishte deklaruar se sulmi nuk ndërlidhet me punën e tij dhe se nuk ka dyshim për ndonjë person apo për ndonjë çështje.
“Nuk i di motivet, për besë. Po më duket e rastësishme më shumë. Mirë jam shumë, super”, kishte deklauar Veliu.
/Reporteri.net/
/Reporteri.net/