×
  • Lajme
  • Lajme / DOKUMENT

    Artan Hajrizi hapi rast sot në mëngjes në policinë gjermane, tha se dokumentet personale i kanë humbur qysh të martën

    Reporteri
    18 Korrik 2024 | 21:16

    Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar dokumentin për rastin që ka hapur sot Artan Hajrizi në Policinë në Hannover, për humbje të dokumenteve personale, të cilat sipas autoriteteve serbe, u gjetën në vendin ku pas mesnatës u vra një polic serb dhe u plagos kolegu i tij, në Loznicë. Ai u shpall sot në kërkim si i dyshuar për vrasjen e policit.

    Artan Hajrizi ka hapur sot rast në Policinë e Hannoverit, për humbjen e dokumenteve personale: letërnjoftimin dhe pasaportën e lëshuar nga Republika e Kosovës dhe leje qëndrimin e Gjermanisë.

    Reporteri.net ka siguruar këtë dokument, ku figuron se rasti është hapur në orën 10:41, në Policinw e Hanoverit. Sipas këtij dokumenti, Hajrizi ka deklaruar se dokumentet i kanë humbur qysh të martën rreth orës 08:00-09:00.

    Artan Hajrizi deklaroi pak minuta më parë se sot ka dhënë deklaratë në Polici për rreth gjashtë orë. Pas deklaratës, ai tha se është lënë i lirë.

    “Unë sot kam kontaktu me policinë gjermane. Jam kanë në polici gjashtë orë, edhe e kom dhanë deklaratën krejt, qysh është, qysh është kanë puna komplet. Mua ata më kanë lanë të lirë, që nuk kam me këtë vepër absolut kurgjë të bëj”, tha Hajrizi.

    Ai akuzoi vëllain e tij, Faton Hajrizin, se ia ka vjedhur këto dokumente, kur ishte në Gjermani para dy ditësh.

    “Pasaportin tem, pasaportin e Gjermanisë edhe të Kosovës, Fatoni u kanë para dy dite në Gjermani. Fatoni rregullisht u kanë jashtë shtetit. Nuk u kanë në Kosovë, nuk u kanë kërkund anej., Ai u kanë jashtë…Nuk ka banu te unë. U ardh te unë para dy dite, edhe i kom thanë këtu nuk ki vend te unë, se unë nuk du me prish familjen, nuk dua probleme se unë s’jam kanë problem kurrë. Nuk kam pas problem me ligj as në Kosovë kurrë.  U ardh në shtatë sahati në mëngjes, edhe i ka mësha ziles, e kam pa ata se jam dalë me çel derën edhe tha vetëm me fol dicka me ty edhe u kry. Ia kom hap derën, u ngjitë naltë , ka nejtë 1 orë këtu. I kom thanë prej këtuhit largohu, se këtu të kapin Policia e unë s’du me pas probleme. Si në Gjermani, sin ë Kosovë jam një qytetar i thjeshtë.  Unë në Gjermani jam qe dhjetë vjet e ende asnjë problem nuk e kam pas”, ka rrëfyer Hajrizi, përmes një videolidhje në T7.

    Sipas tij, Faton Hajrizi që nga dita kur është arratisur, ka qenë duke qëndruar në shtete si Spanja, Austria, Italia dhe Sllovenia.

    “Nuk e di unë për çfarë arsye u shku ai atje. Ai u kanë tu nejt në Spanje, Austri, Itali edhe në Slloveni”, ka deklaruar Hajrizi.

    Autoritetet serbe kanë shpallur sot në kërkim kosovarin Artan Hajrizin, si të dyshuar për vrasjen e policit serb, 34-vjeçarit Nikolla Krsmanoviq dhe plagosjen e kolegut të tij, 50-vjeçarit Vjekoslav Iliq. Rasti ka ndodhur pas mesnatës në Loznicë të Serbisë, që gjendet afër kufirit me Bosnjën.

    Hajrizi u kthye në të dyshuarin kryesor për këtë rast, meqë në vendngjarje, sipas autoriteteve serbe, u gjetën pasaporta e tij e lëshuar nga Republika e Kosovës dhe letërnjoftimi i Gjermanisë.

    Mediat serbe kanë raportuar gjatë gjithë ditës lidhur me prapaskenat se si ka ndodhur rasti. Sipas Nova.rs, ngjarja ndodhi pas mesnate, kur policët ndaluan një taksi me targa të qytetit të Tutinit që u dukej e dyshimtë, ku ndodheshin dy burra, shoferi dhe pasagjeri.

    Sipas raportimeve, Policia identifikoi pasagjerët të cilët u janë dukur të dyshimtë dhe pastaj njëri prej policëve i ka kërkuar njërit prej personave në veturë që t’ia tregojë çantën. I njëjti raportohet se ka refuzuar ta bëjë këtë dhe se ka qëlluar në drejtim të policëve.

    Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë publikoi pastaj edhe fotografi të Hajrizit, derisa në operacionet e kërkimit janë përfshirë dronë dhe helikopterë. I njëjti pas raportimeve të shumta nëpër media, kontaktoi disa media, ku tha se ai ndodhet në Gjermani dhe mohoi të jetëi i përfshirë në këtë rast.

    Lidhur me rastin, foli sot edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se se organet e sigurisë në Kosovë janë duke i grumbulluar informacionet lidhur me rastin, ndërsa rekomandoi që të përcillen komunikatat e institucioneve përkatëse të Kosovës.

    “Po ato info qe i përmende i kam marrë edhe unë sot, nuk kam diçka shtesë, por organet tona të sigurisë dhe rendi po i grumbullojnë informacionet dhe ju kisha lutur përcjellni me vëmendje komunikatat e Policisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Punve të Jashtme dhe Diasporës”, tha Kurti.

    Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës dhe mërgimtarëve që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër territorin serb.

    MPJD bën thirrje që sipas vlerësimit të situatës, ata të shmangin edhe tërësisht kalimin nëpër territorin serb.

    “Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me pretendimet e Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq për një incident në magjistralen afër Loznicës në Serbi, ku pretendon që ka mbetur i vrarë një polic serb dhe i përfshirë në këtë rast sipas tij është një shtetas i Republikës së Kosovës./Reporteri.net

     

    Misteri i vrasjes në Serbi dhe dyshimet te vëllezërit Hajrizi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!