Revista “Kosovo 2.0” ka prodhuar serinë e artikujve: Mbijetesa në peizazhin e ngjeshur mediatik në Kosovë, për rrjetin evropian “Reset” që bën bashkë 86 anëtarë të organizatave mediale dhe kulturore të 26 shteteve. Njëri prej artikujve është i përqendruar te gazeta Reporteri.
“I ndërprerë nga historia e fundit e luftës dhe pavarësisë, si dhe nga konteksti botëror pas Covid-19, peizazhi “i ri” i mediave të Kosovës është karakterizuar nga rivaliteti i madh dhe mundësitë e kufizuara të financimit. Brenda nevojës botërore për rinovimin e mediave dhe me tregun e kufizuar të reklameve në Kosovë, sfida e pavarësisë është biznes i vështirë, por shpërfaq qëndrueshmërinë e mediave të saj”, shkruan Gentianë Paçarizi, e cila është redaktore menaxhuese në revistën “Kosovo 2.0”.
“Reset” me seli në Francë, shkruan edhe për historikun e gazetës Reporteri.
“Në vitin 2019, tre gazetarë kosovarë vendosën që të formonin një portal online të lajmeve Reporteri.net. Aksionari i katërt është një mik i tyre i cili kishte disa biznese të vogla dhe u pajtua që të mbulonte shpenzimet fillestare të medias së re. Këtu përfshihen disa muaj paga dhe pajisje siç janë kompjuterët, tavolinat, një kamerë dhe dy mikrofona”, shkruan Reset”.
Për shkak të drejtimit që po merr sektori i reklamave dhe pesimizmit të përgjithshëm për arritjen e qëndrueshmërisë financiare, kryeredaktori i gazetës Reporteri.net, Mentor Gjergjaj ka kthyer vëmendjen në kërkimin e financimeve nga projektet e mbështetura nga donatorët ndërkombëtarë.
Artikulli i “Reset” i jep vëmendje grantit të ambasadës amerikane për mediat e pavarura, të cilin e ka fituar gazeta Reporteri.net.
Projekti është “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes edukimit medial për komunitetet joshumicë në Kosovë”.
Gjergjaj beson se kjo do të ngritë gazetën Reporteri.net në nivel krejt tjetër të profesionalizmit.
“Mendoj se mënyra se si ne e kemi ruajtur pavarësinë tonë për katër vjet, duke ruajtur parimet dhe etikën, na ka dëmtuar shumë financiarisht”, ka thënë Gjergjaj në këtë artikull për “Reset”.
“Tani nëpërmjet granteve, ne ndihemi më stabil, pasi ato ofrohen për të rritur profesionalizmin dhe kapacitetet e mediave. Në këmbim, keni për detyrim për të arritur qëllim. Grantet ju bëjnë të pavarur”, thotë Gjergjaj.
Deri së fundmi, thirrjet për financimin e projekteve në sektorin e mediave kanë pasur për cak kryesisht mediat e regjistruara si OJQ. Përveç zhvillimit të gazetarisë, financimi nëpërmjet projekteve ka përkrahur edhe projekte të tjera që kanë të bëjnë me mediat.
Kjo ka nxitur edhe krijimi ne mediave edhe më të pavarura financiarisht, siç janë “Kosovo 2.0” dhe “BIRN Kosovo”. Kjo krijon hapësirë për model mediatik të mbështetur nga grantet që mundësojnë prodhimin e gazetarisë hulumtuese dhe të ngadaltë, shkruan “Reset”.