Artmotion ka reaguar pasi zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka akuzoi këtë platformë se “e ka ndërruar renditjen e kanalit ose hequr krejtësisht ‘Top-Channel’ -in” për të, siç u shpreh ai, “penguar/pamundësuar qytetarët që shfrytëzojnë këtë platformë të ndjekin intervistën e Kryeministrit Kurti”.
Ndërkaq, Artmotion ka reaguar duke ia bërë me dije Manxhukës se njoftimi për ndryshim të renditjes së kanaleve në platformë është bërë më 29 janar.
Tutje, Artmotion ka paralajmëruar padi ndaj zëdhënësit të VV-së, në rast se nuk kërkon falje për dezinformatën.
Reagimi i plotë:
Reagim nga Artmotion!
Artmotion informon të gjithë abonentët dhe opinionin publik se ndryshimi i renditjes së kanalit Top Channel në platformën tonë është bërë me datë 28.01.2025, duke kaluar nga pozicioni 14 në pozicionin 12. Ky ndryshim është kryer në përputhje me riorganizimin teknik dhe përmirësimin e përvojës së shikuesve tanë, ashtu siç bëhet në mënyrë të rregullt me të gjithë përmbajtjet televizive.
Reagimet e sotme të zëdhënësit të Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, i cili ka aluduar se ky ndryshim është bërë me qëllim të censurimit të një figure politike, janë plotësisht të pavërteta dhe tendencioze.
Artmotion është një operator i pavarur që respekton lirinë e medias dhe ofron një gamë të gjerë kanalesh për abonentët e tij, pa asnjë ndikim politik apo përmbajtësor.
Kërkojmë nga zëdhënësi A. Manxhuka që të kërkojë falje për këtë dezinformatë menjëherë, ose në të kundërtën, të hënën do të inicojme padi për shpifje.
I ftojmë të gjithë të mos bien pre e dezinformatave dhe të mbështeten në fakte. Artmotion mbetet i përkushtuar që të ofrojë shërbime cilësore për të gjithë shikuesit, në mënyrë transparente dhe profesionale