×
  • Lajme
  • Lajme / Samiti

    As një javë prej kthimit nga Washingtoni, Osmani zatetet me liderët evropian në Blenheim

    Reporteri
    19 Korrik 2024 | 20:09

    Presidentja Vjosa Osmani ndodhet qe dy ditë në Mbretërinë e Bashkuar, ku ka përfaqësuar vendin në Samitin e Komunitetit Politik Evropian. Në kuadër të këtij Samiti, Osmani është takuar me Kancelarin e Gjermanisë, Presidentin e Francës, Mbretin Charles III, Kryeministrin e ri të Britanisë, Kryeshefen në ardhje të Bashkimit Evropian, Kryeministrin e Greqisë e liderë të tjerë. Reporteri.net ju sjell një përmbledhje të vizitës dy ditore të Osmanit.

    Pa u bërë as një javë nga kthimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në aktivitete në kuadër të Samitit të NATO’s, Presidentja Vjosa Osmani u është bashkuar liderëve botërorë në një tjetër samit. Para dy ditësh, ajo ka udhëtuar drejt Mbretërisë së Bashkuar për Samitin e Komunitetit Politik Evropian.

    Me arritjen në këtë shtet, ajo u prit nga Kryeministri Keir Starmer. Në kuadër të këtij samiti, ajo u takua edhe me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

    “Diskutim i rëndësishëm me Kancelarin Scholz në kuadër të Samitit të Liderëve të EPC-së, lidhur me angazhimin tonë të përbashkët për integrimin euroatlantik të Kosovës. 🇽🇰 🇩🇪”, shkroi Osmani.

    Dje Osmani u takua edhe me Mbretin Charles III dhe Kryeministrin Starmer.

    “Në 25 vjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s dhe trupave britanike në Kosovë, rikonfirmuam se lidhja midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar është e fortë dhe e palëkundur”, njoftoi e para e shtetit.

    Sot ka njoftuar edhe për takimin që pati mbrëmë me Presidentin e Francës, Emanuel Macron.

    Osmani tha se me Macron ka diskutuar mbi rëndësinë e ecjes përpara drejt integrimit të plotë të Kosovës në strukturat euroatlantike, në partneritet me aleatët tanë dhe në dobi të të gjithë qytetarëve tanë, pa dallim.

    Takime ka pasur edhe me Kryeministrin belg, kryeministrin e Greqisë dhe Kryeministrin e Holandës.

    Ndërkohë, sot Osmani është takuar me Kaja Kallas, kryeministren e dorëhequr të Estonisë, e cila së shpejti do të marrë detyrën e Kryediplomates së Bashkimit Evropian, në vend të Josep Borrell.

    Osmani ka thënë se paqja dhe siguria e Evropës kërkojnë lidership të fuqishëm dhe të gatshëm, e që sipas saj, Kallas këtë e ka demonstruar në mënyrë të jashtëzakonshme.

    “Gjithmonë kënaqësi biseda me kryeministren Kaja Kallas, këtë herë përgjatë Samitit EPC. Paqja dhe siguria e kontinentit evropian kërkojnë lidership të fuqishëm dhe të gatshëm, gjë që Kallas e ka demonstruar në mënyrë të jashtëzakonshme”, ka shkruar Osmani.

    Kallas dha dorëheqje para katër ditësh si kryeministre për të marrë pozitën e Shefes së Politikës së Jashtme në BE.

    Një prej detyrave të saj pritet të jetë edhe ndërmjetësimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Në të kaluarën, Kallas është shprehur pro integrimit evropian të Kosovës dhe ka theksuar, po ashtu, nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke thënë se një Ballkan Perëndimor i sigurt “është në interesin e gjithë Evropës”.

    Ndryshe, para gati një jave, Osmani ishte në Washington ku mori pjesë në aktivitete të organizuara në kuadër të Samitit të NATO’s. Në margjina të këtij samiti, Osmani u takua me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ndihmës-sekretarin e Shtetit, Jim O’Brien, Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, Presidentin e Bullgarisë, Dimitar Glavcheh, Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, si dhe me senatorë dhe kongresistë.

    Osmani në Washington takim me Blinken, Kurti me Pecin i hip kombajnës në Bubavec të Malishevës

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!