Zyrtarëve shtetëror nuk lejohet hyrja në punë pa dëshminë e vaksinimit ose testit negativ

Që nga sot, asnjë nëpunësi nuk i lejohet hyrja në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës pa certifikatën e vaksinimit dhe testin anti-covid.


Në çdo institucion publik, po kërkohet certifikata e vaksinimit të plotë ose ajo e një doze, nëse nuk ke dëshmi të vaksinimit, kërkohet testi RT-PCR negativ jo më i vjetër se shtatëdhjetë e dy orë, për të hyrë në vendin e punës, këto janë disa nga masat e reja të marra nga qeveria e Kosovës.

Zëdhënësi i qeverisë Përparim Kryeziu, tregon masat e reja për të gjithë punonjësit në kryeministri.

“Ata që dëshirojnë të hyjnë në këtë ndërtesë duke përfshirë edhe ata vizitor iu kërkohet që të paraqesin njërën nga katër dëshmitë të cilat janë në vendimin e qeverisë, ajo ma e zakonta është e vaksinimit kjo sepse shumica e nënpunësve në këtë ndërtesë janë të vaksinuar të paktën me një dozë por ka raste që janë evidentuar si dëshmi testi serologjik dhe ai antigjen.”, tha Kryeziu.

Kryeziu shtoi se nuk i është lejuar asnjë punonjësit të hyjë në ndërtesë nëse nuk kanë dhënë njërën nga dëshmitë e kërkuara sipas ligjit.

Njëri nga punëtorët e Kuvendit të Kosovës thotë se i është kërkuar njëra nga këto masa.

“Në mëngjes të gjithëve kolegëve na u është kërkuar që të vërtetojmë që kemi librezën e vaksimit ose dëshmit që nuk jemi pozitiv me covid, mundë të konfirmoj që kjo masë është zbatuar”, tha ai.

Në mesin e masave të reja është edhe shtyrja e procesit edukativo-arsimor parauniversitar, një qytetare ka disa fjalë për këtë.

“Po më dhimbën fëmijët po e shoh që krejt rajoni ka fillu procesi mësimor e në kosovë jo ishalla po don zoti me u kry kjo se jemi lodhur edhe psiqikisht edhe fizikisht.”, tha ajo.

Në kundërshtim të masave të vendosura nga qeveria, veçanërisht mbylljen e çerdheve, ka reaguar Partia Social Demokratike e cila para objektit të Qeverisë ka vendosur dhjetëra biberonë.

Këto masa do të jenë në fuqi deri më 26 shtator, ku edhe do të bëhet vlerësimi i situatës pandemike.