×
  • Lajme
  • Lajme

    Atmosfera e sotme në Bernë, “20 Minuten”: Osmani qartazi e shijoi, Presidentja e Zvicrës s’njihet për dashuri ndaj turmave

    Reporteri
    21 Maj 2025 | 23:52

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron për vizitë shtetërore në Zvicër. Në sheshin qendror të Bernës, “Bundesplatz”, qindra bashkatdhetarë ishin mbledhur për të festuar ardhjen e saj,  një atmosferë që ajo e shijoi dukshëm, shkruan gazeta gjermane “20 Minuten”.

    Të mërkurën, Vjosa Osmani mbërriti në Bernë për një vizitë zyrtare shtetërore. Gjatë përshëndetjes me qytetarët në shesh, ajo mori në krah edhe një foshnjë, duke treguar afërsi me publikun. Atmosfera në shesh ishte mjaft pozitive dhe festive.

    Vizita nisi të mërkurën në mesditë me një udhëtim me helikopter nga Cyrihu në Bernë, siç njoftoi vetë Osmani përmes Instagramit. Pas një dreke në rezidencën zyrtare “Landgut Lohn”, ajo u prit në mënyrë zyrtare në “Bundesplatz” nga të gjithë anëtarët e qeverisë zvicerane (Bundesrat), ku ndodheshin edhe qindra qytetarë nga komuniteti kosovar dhe zviceran.

    Osmani kaloi rreth 15 minuta duke bërë selfie, shtrënguar duar dhe zhvilluar biseda të shkurtra me të pranishmit, në praninë edhe të presidentes së Zvicrës, Karin Keller-Sutter, e cila gjithashtu u tregua e hapur ndaj qytetarëve, ndonëse zakonisht nuk është e njohur për dalje të tilla në publik.

    Qindra njerëz u mblodhën për të parë nga afër Osmanin dhe Keller-Sutterin. Atmosfera ishte e gëzueshme dhe e çliruar, siç raportoi gazeta “20 Minuten”.

    “Disa nga të pranishmit e cilësuan Kosovën si “kantonin e 27-të të Zvicrës”, duke iu referuar lidhjeve të ngushta ndërmjet dy vendeve dhe mbi 160 mijë kosovarëve që jetojnë në Zvicër.

    Të dy presidentet u shoqëruan nga sigurimi i afërt. Vetëm disa ditë më parë, Osmani kishte marrë kërcënime me vdekje, çka bëri që masat e sigurisë të ishin të shtuara”, përfundon shkrimi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!