×
  • Lajme
  • Lajme

    Autobusi “free” për 20-ditë në Kamenicë, i shtyn qytetarët t’i kërkojnë komunës zgjatje të përhershme

    Reporteri
    17 Shtator 2024 | 10:02

    Komuna e Kamenicës është një prej qyteteve të vogla të Kosovës, që ndodhet në kufi me Serbinë, dhe lidhjen më të afërt e ka me qytetin e Gjilanit. Qyteti ndodhet pas shumë kthesave që kalojnë në terren kodrinoro-malor. Anipse ka veç pak përmbi 22 mijë banorë me regjistrimin e fundit, ajo ka një territor shumë të madh hapësinor. Fshatrat i shtrihen në mbi 400 kilometra katrorë në largësi nga njëri-tjetri e shpesh edhe nga qendra e Kamenicës. Kjo bën që banorët kur kanë ndonjë punë, duhet të ndezin veturën, ose të presin ndonjë taksi a mini-bus që biletën ua merr me 1.5 euro.

    Si një qytet i qetë, me shumë gjelbërim dhe me një bashkëjetesë multietnike, dita e premtë atje është më e zhurmshme. Shqiptarë e serbë shesin bashkë ato që ju prodhon kopshti në shtëpi, e rakinë që ua zijnë kazanet e bakrit. Në një cep të tregut të zhurmshëm, një tabelë tregonte një informacion që tashmë ishte thithur me të madhe nga banorët.

    “Për një qytet të gjelbër dhe lëvizje të lirë. 03 shtator – 22 shtator” – shkruante në tabelën që tregonte se një autobus urban tashmë po qarkullonte në Kamenicë dhe 9 fshatra rreth e rrotull. Autobusi është mundësuar nga fondacioni gjerman Friedrich-Ebert -Stiftung në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe qytetarët mund të shkojnë nga një destinacion në tjetrin pa pagesë për këto 20 ditë, deri më 22 shtator.

    Bujar Kastrati atë ditë po e priste autobusin në rrugën kryesore që kalon përgjatë qytetit. Ai jeton në Hogosht, 10 kilometra nga qyteti. Çdo ditë deri tash ka ndezur makinën dhe është lëshuar në vendin e tij të punës në Komunë të Kamenicës. Këtë rutinë e bënte prej 20 vjetësh, deri sa me 4 shtator kishte dëgjuar se autobusi urban po niset nga Hogoshti deri në qytet.

    “A beson u ndjeva mirë disi kur e dëgjova autobusi urban. M’u duk sikur u bëmë një qendër pak më e madhe ku qarkullon autobusi urban”, thotë ai teksa kujton ditët në qytetet e mëdha si në Prishtinë dhe Zagreb, ku kishte jetuar për pak kohë.

    Prej ditësh ai më nuk e ndez makinën dhe gjithë lëvizshmërinë e bën më autobusin urban të gjelbër që dallohet lehtë në rrugët e Kamenicës. Në zonat ku ndalet autobusi, janë të vendosura posterat ku tregohet kah kalon autobusi dhe në çfarë ore, të cilat Kastrati i shpjegonte.

    Orët në vendet e caktuara janë të sakta. Autobusi i gjelbër vjen në kohë. Atë e vozit një burrë në 60-tat e tij që quhet Adem Vllasi, që timonit të shoferit nuk iu ka ndarë prej vitit 1982.

    “Fshat më fshat, qytet më qytet kam vozitë autobus. Prej kur kam filluar dikur në KosovaTrans, nuk jam ndalë kurrë. Por, qe tash me këtë autobus paksa po më duket si në kohë të KosovaTransit, se gjithçka në rregull, edhe njerëzit s’po kanë nevojë me pagu”, thotë Vllasi, i cili tregon edhe një përparësi tjetër që ky autobus po u jep udhëtarëve.

    “Autobusi sidomos në mëngjes dhe pas orës 16:00 është plot, të gjithë po e përdorin. Biles këta që janë transport privat nuk i lejojnë përshembull me e fut një thes miell, ose paketa me speca në këtë vakt të turshive, sepse i kanë kombibusat e vegjël. Këtu në autobus gjithçka mundet”, rrëfen ai, teksa priste të mbushej autobusi.

    “Më mirë e pres këtë autobus pa pagesë, sepse 1.5 euro kushton bileta, më mirë me ato para blej diçka tjetër”, fliste si nën zë një grua që po hipte në autobus.

    Megjithatë, 20 ditë janë vetëm një test që si duket ka kaluar me pikë të plota në Kamenicë. Ata vëreheshin se po e duan transportin publik pa pagesë.

    “Unë përbesë do të udhëtoja gjithmonë me të, sepse është edhe shumë komod”, thoshte Kastrati që shpreson se Komuna e Kamenicës do të gjejë një formë për të vazhduar këtë nismë.

    Në anën tjetër, kryetari i kësaj komune, Kadri Rahimaj fliste me pozitivitet për reflektimin e qytetarëve për zhvillim në komunën e tij.

    “Ne jemi shumë të kënaqur me pritjen që i kanë bërë qytetarët. Kemi pasur fshatra që për shkak të transportit kanë frekuentuar më shumë Gjilanin se sa Kamenicën, e tash po ndodhë diçka tjetër. Me autobus po vijnë në Kamenicë për të kryer nevojat ditore”, tha Rahimaj, që pret se analiza pas 20-ditësh do t’ia hap një punë të re për të mundësuar transportin.

    Ai e sheh të nevojshme që së paku të jenë 6-7 autobusë urban, që do të mund të mbulonin edhe pjesën e transportit të nxënësve, që u kushton për momentin komunës 270 mijë euro. Por, i vetdijshëm që do të duhet të trokasë në dyert e institucioneve ndërkombëtare financiare, Rahimaj thotë se tashmë ka nis punë.

    “Unë e di që është e vështirë për neve si komunë e vogël, por kjo po ngjallë një frymë të re, është edhe një hap drejt Agjendës së Gjelbër, të cilën ne e shtyjmë përpara në secilin aspekt që është e mundur”, tha ai.

    Kamenica njihet për qasjen e saj në zhvillim të qëndrueshëm, pa çka për këtë ka marrë edhe çmimin si Kampion të Gjelbër në Ballkanin Perëndimor, pasi kanë rregullore që mundëson aplikimin për leje ndërtimi të një objekti ‘off-grid”, që ripërdor ujin e shiut, merr energji të ripërtritshme dhe shumë të tjera. Përpos kësaj, në fshatin Kikë, kanë një prej parqeve më të mëdha të prodhimit të energjisë me erë, “Kitka Wind Farm” me kapacitet 32.4MW.

    Transporti urban ndihmon shumë në uljen e emetimit të gazrave dhe ndotjes së ajrit, si një prej shkaktarëve kryesorë. Përdorimi i makinave për të qarkulluar në destinacioni intra-urbane është nxitur nga mungesa e transportit urban të rregulltë dhe të konstruktuar mirë. Përpos Prishtinës, Prizreni dhe Gjakova kanë një linjë urbane që operon me vështirësi, teksa në Pejë një e tillë ka dështuar nga mungesa e përkrahjes nga komuna. Mundësimi i transportit pa pagesë apo me kosto të ulët financiare në rastet e deritashme ka dhënë rezultat. Në kohën e pandemisë, Trafiku Urban në Prishtinë kishte vendosur për disa periudha operimi pa pagesë dhe fluksi i udhëtarëve ishte rritur menjëherë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!