×
  • Lajme
  • Lajme

    Autori i krimit në Gllogjan ende i panjohur, Qeveria shpërblen me 20 mijë euro atë që ndihmon në kapjen e tij

    Reporteri
    29 Nëntor 2021 | 8:29

    Mbrëmjen e së premtes, një person i maskuar ka gjuajtur me kallashnikov në drejtim të një autobusi, që si pasojë la të vdekur tre persona, shoferin e autobusit, Gani Gjokaj dhe dy nxënës të shkollës së mesme, Genta Mustafaj dhe Ledion Hamzaj.

    Për gjetjen e përgjegjësit që ka kryer këtë vrasje të trefishtë, institucionet e sigurisë dhe drejtësisë kanë thënë që janë mobilizuar, mirëpo edhe pas 60 orëve asnjë i dyshuar nuk është kapur.

    Ndërsa Qeveria e Kosovës ka marrë një hap tjetër në lidhje me zbulimin e vrasësit. Dje ajo ka marrë vendim që kushdo që ndihmon në kapjen e autorit, do të shpërblehet me 20 mijë euro.

    Ndërsa, kryeministri Kurti, mbrëmë është takuar me drejtorin e Policisë, Samedin Mehmeti. Pas këtij takimi, Kurti ka thënë se sasia e informacionit po rritet por ende nuk kanë zgjidhje

    “Mësova që i kanë shtuar përpjekjet, po rritet sasia e informacionit, mirëpo ende nuk e kemi zgjidhjen. Kur jemi në prag të 48 orësh, fatkeqësisht ende nuk e kemi zgjidhjen, por nuk po mungon angazhimi. Janë shtuar numri i zyrtarëve të cilët po merren me hetimin dhe hulumtimet, në mënyrë që i gjithë populli i Kosovës, e në veçanti familjet dhe të afërmit të prehen të qetë duke e sjellë para drejtësisë vrasësin apo vrasësit”, tha Kurti.

    Ndërkaq, edhe Prokuroria e Shtetit ka kërkuar ndihmën e qytetarëve të Kosovës, që për çfarëdo informacioni kanë në lidhje me autorin e krimit t’i informojnë organet e drejtësisë.

    Kërkimi po vazhdon nga të gjitha anët, teksa nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se kanë marrë informacione të shumta në lidhje me ngjarjen.

    Sahide Gashi, prokurore e rastit ka thënë se janë duke intervistuar shumë persona dhe se kanë bastisur një shtëpi në lidhje me rastin.

    Përmes një konference për media, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, u ka bërë thirrje qytetarëve që kushdo që ka informacione për sulmin e mbrëmshëm në Gllogjan të bashkëpunojë me policinë.

    Ai i ka shpallur ultimatum autorit/ autorëve të krimit në Gllogjan që të dorëzohen.

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka thënë se kanë rreth tri pista hetimi në lidhje me ngjarjen që tronditi Gllogjanin të premten.

    Dje, u është dhënë lamtumira e fundit tri viktimave të këtij krimi makabër, ku morën pjesë qindra qytetarë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!