Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar se më 17 korrik është arrestuar një shtetas i Kosovës, bazuar në një fletarrestim të lëshuar nga Serbia.
“Me datë 17.07.2024 në ora 16:00 në vendkalimin kufitar Jazhincë, me të hyrë në shtet, zyrtarët policorë e kanë ndaluar B.R. (47 vjeçar) nga Kosova pasi gjatë kontrollit të pasaportave është konstatuar se ai ishte i regjistruar me “Apsi” me kërkesë të Serbisë dhe ai i është dorëzuar autoriteteve në Tetovë për veprime të mëtutjeshme”, tha Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, njofton REL.
Lajmi për ndalimin e shtetasit nga Kosova është bërë i ditur fillimisht nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë.
“Fjala është për zotin Blerim Ramadani, ish-anëtar i Zonës Operative të Nerodimes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha MPJD-ja.
Arrestimi u krye në pikëkalimin kufitar Jaznicë-Glloboqicë, që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.
MPJD tha se ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut është duke u angazhuar në këtë rast dhe autoritetet po punojnë për të siguruar lirimin e shpejt të Blerim Ramadanit.
Së fundi, autoritetet në Serbi kanë arrestuar edhe katër shtetas të Kosovës, të cilët Beogradi i ka akuzuar për krime lufte.