×
  • Lajme
  • Lajme / Serbia akuzon një kosovar

    Autoritetet serbe shpallin në kërkim Artan Hajrizin, familja thotë se Fatoni ia vodhi pasaportën – çka dihet deri më tani për rastin në Serbi

    Reporteri
    18 Korrik 2024 | 12:38

    Një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur mbrëmë pas mesnate në Serbi. Ngjarja ka ndodhur në Loznica, afër kufirit me Bosnjën. Serbia pretendon se autori i vrasjes është një kosovar. Një kërkim masiv është duke vazhduar, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Policia Serbe ka shpallur në kërkim si të dyshuar për rastin, Artan Hajrizi, shtetas i Kosovës. Siç u bë e ditur në vendin e ngjarjes është gjetur një pasaportë e Kosovës me emrin e Artan Hajrizit në të, si dhe një letërnjoftim i Gjermanisë me të njëjtin identitet.

    Siç po raportohet të shtënat kanë ndodhur pasi autori ka refuzuar që policia ta kontrollojë çantën që ai e kishte me vete.

    Gjithçka nisi një orë pas mesnate kur efektivët e policisë, të cilët ishin në detyrë në një postbllok, ndaluan një taksi që u dukej e dyshimtë dhe në të cilën ndodhej autori. Njëri prej policëve, sipas raportimeve të mediave në Serbi, i ka kërkuar të dyshuarit t’u tregonte se çfarë ka në çantë.

    Ai refuzoi dhe më pas qëlloi në drejtim të policisë.

    Në mediat në Serbi, Artan Hajrizi është prezantuar si i burgosur, i cili dy javë më parë ka ikur nga një burg në Kosovë.

    Ndërkohë, në disa media në Kosovë, ai po prezantohet si vëllai i Faton Hajrizit, i arratisur tash e disa ditë, e i cili është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës.

    Se Artani është vëllai i Fatonit e ka konfirmuar edhe babai i tyre. Ai në një deklaratë për Nacionale ka thënë se djali i tij Artani ndodhet në Gjermani, por Fatoni ia ka vjedhur pasaportën.

    “Fatoni i ka bërë ato punë, pasaportën e tij [Artanit] ia ka marrë, u shku në Gjermani atje ia ka marrë”, citohet të thënë Mustafë Hajrizi.

    Babai i Artan Hajrizit: “Fatoni ia ka vjedhë pasaportën vëllait të tij”

    Loznica është afër kufirit mes Serbisë dhe Bosnjës, përkatësisht afër Republikës Serbe në Bosnjë. Një kërkim për të dyshuarin raportohet se ka nisur edhe atje.

    Polici i vrarë është 34 vjeçar.

    Informacionet e fundit janë se shoferi i automjetit në të cilin ndodhej i dyshuari për vrasjen e policit serb, në Loznicë të Serbisë, është arrestuar.

    Prokuroria e Lartë Publike në Shabac ka njoftuar se shoferi i automjetit është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “kalim ilegal i kufirit shtetëror dhe kontrabandë me njerëz”.

    Mediat serbe: Arrestohet shoferi i veturës në të cilën ndodhej autori i vrasjes së policit serb, i dyshuari ende në arrati

    MPJD u kërkon mërgimtarëve të shmangin kalimin nëpër Serbi, Kurti bën thirrje që rasti të mos politizohet

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në një reagim pas ngjarjes në Serbi,  u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës dhe mërgimtarëve që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër territorin serb.

    MPJD bën thirrje që sipas vlerësimit të situatës, ata të shmangin edhe tërësisht kalimin nëpër territorin serb, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me pretendimet e Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq për një incident në magjistralen afër Loznicës në Serbi, ku pretendon që ka mbetur i vrarë një polic serb dhe i përfshirë në këtë rast sipas tij është një shtetas i Republikës së Kosovës.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbajë të informuar opinionin publik për këtë rast dhe apelon te mërgimtarët dhe qytetarët e Kosovës që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër Serbi dhe sipas vlerësimit të situatës të shmangin lëvizjen përmes territorit serb”, thuhet në apelin e MPJD.

    Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë thirrje që të mos politizohet ky rast. Kurti, ka thënë se nuk ka informacione më shumë se sa që është raportuar në media, në lidhje me pretendimet e autoriteteve serbe, se një shtetas i Kosovës ka qenë i përfshirë në vrasjen e një polici në Serbi.

    Para gazetarëve në një konferencë për media, Kurti tha se organet e sigurisë në Kosovë janë duke i grumbulluar të gjitha informacionet.“Informacionet që i përmendet i kam marrë edhe unë, nuk kam diçka shtesë. Por organet tona të sigurisë dhe të rendit po i grumbullojnë informacionet dhe ju kisha lutë që të përcjellni në oërt në vazhdim komunikatat e Policisë së Kosovës, MPB-së dhe MPJD”,  tha Kurti. /Reporteri.net/

    Artan Hajrizi i dyshuar për vrasjen e një polici në Serbi, Kurti: Organet tona të sigurisë po i grumbullojnë informacionet

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!