×
  • Lajme
  • Lajme / Gazmend Halilaj

    Avokati që Gërvalla e Peci i thurën lavde për aderimin në “Guxo” ishte dënuar me 2 vite burgim për keqpërdorimin seksual të një të miture, Apeli e shpalli të pafajshëm

    Reporteri
    19 Maj 2025 | 23:19

    Avokati Gazmend Halili ka aderuar sot në partinë “Guxo”. Bashkëdrejtuesit e kësaj partie, Faton Peci dhe Donika Gërvalla, thurën lavde për të kur e prezantuan, e madje duke thënë se “shquhet për integritet”.

    Mirëpo, të njëjtin në dhjetor të vitit 2021, Gjykata Themelore e Prishtines e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 2 viteve për keqpërdorim seksual të një 16-vjeçarje, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ai e kishte nxjerrë në publik rastin për të miturën e cila ishte keqpërdorur seksualisht fillimisht një mësimdhënës, pastaj nga polici hetues tek i cili viktima kishte shkuar për ta paraqitur rastin. Halilaj e kishte dorëzuar kallëzimin penal në Prokurori, e pas ishte arrestuar edhe ai vetë nën dyshimet për abuzim me viktimën. Ndaj tij ishte ngritur aktakuzë për shkak të veprave penale “Keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin”, nga neni 239 paragrafi 1 pika 1.3 të KPRK-së dhe “Frikësimi gjatë procedurës penale”, nga neni 395 të KPRK-së.

    Për dallim nga Themelorja, tri vite pas, në janar të këtij viti, sipas disa raportimeve, Halilaj është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit, duke u liruar nga çdo pikë të aktakuzës që rëndonte mbi të.

    Skandali i Drenasit, ngritet aktakuzë ndaj avokatit Gazmend Halilaj

    Njoftimin për aderimin e Halilajt, partia “Guxo” e ka bërë sot.

    “I shquar për integritetin e vendosmërinë, guximtar dhe idealist në bindje e qëndrime, avokati Halilaj i bashkohet Partisë Guxo në betejën e përjetshme për një Kosovë të lirë, sovrane, të zhvilluar, demokratike dhe një shtet ku triumfon, sundon e mbizotëron e drejta. Zëri i guximtarit Halilaj i nevojitet drejtësisë, e drejtësia i nevojitet Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Ndryshe, Gazmend Halilaj, më 14 prill 2020, ishte plagosur me armë zjarri në një pritë para shtëpisë së tij në Skënderaj. Për këtë rast më 29 janar 2024, Gjykata Themelore e Prishtinës, i ka dënuar me 5 vite e pesë muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë Ibrahim Lushtakun dhe Xhelal Zeqirin, të cilët akuzoheshin për tentim vrasjen e Halilajt.

    Në këtë rast i akuzuar ka qenë edhe ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili pasi ka pranuar fajësinë, është shpallur fajtor për kanosjen e avokatit Halilaj. Për këtë vepër penale, Gjykata i ka shqiptuar Lushtakut dënim me 2 mijë euro gjobë./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!