Babai i 13-vjeçares nga Vitia thotë se vajza e tij pret fëmijë nga akti i dhunimit, i dyshuari jashtë vendit

Një 13-vjeçare po dyshohet se është dhunuar seksualisht nga një 29-vjeçar në qytetin e Vitisë. Rasti ka ndodhur në shkurt të këtij viti, por është raportuar në shtator, kur viktima është 8 muajshe shtatzënë.

“Jam frigu tha prej meje, domethënë prej prindit. Jam frigu me tregu, kom mendu se hajt kurgjo nuk është”. Kështu nis rrëfimi i një ngjarjeje tepër të rëndë që ka goditur një familje në shkurt të këtij viti në qytetin e Vitisë.

Vajza e vogël e familjes, 13-vjeçare atëherë, e tash 14, thotë se është dhunuar seksualisht nga një person rreth të 20-tave.

Por ky rast i rëndë në stacionin policor ka arritur, tek para tre ditësh.

Se rasti është denoncuar më 20 shtator e konfirmojnë edhe burime nga Policia, të cilët thonë se me rastin po merret prokurori për të mitur.

Krejt kjo ka ndodhur kur në pah ka dalur një fakt që e rëndon edhe më shumë ngjarjen, vajza e mitur tashmë është 8 muajshe shtatzënë.

Babai i viktimës ka thënë se “Rasti ka ndodhë para 7-8 muajsh përafërsisht, nuk e ka vërejt askush prej shtëpisë se vajza e re, nuk ka pasë simptoma të shtatzanisë, e ka vërejtur vajza e tretë, e kemi dërgu te mjeku ka dalur se është shtatzënë, me rastin është marrur policia, dihet personi kush është, por faktkisht ai është jashtë. “

Detajet, thotë se i dinë vetëm organet e rendit pasi informacione vetë nuk kanë mundur të nxjerrin për shkak të gjendjes psikologjike të vajzës.

“Këto i dinë policia, na nuk kemi kurrfarë informacioni, as që i kemi bo pyetje çikës, se çika e re, pe ngarkojmë, mundemi me deviju edhe ma keq”, tha babai i 13-vjeçares.

Përderisa tashmë është vonë për një abort, babai i vajzës nën emocione tregon se çfarë do të ndodhë me fëmijën që pritet ta sjellë në jetë vajza e tij.

“Unë i dalë në krahë vajzës time, nuk e lë vajzën time në baltë, sa për fëmijën, nëse nuk e merrë ai, e marrim ne, edhe pse është fëmija i dhunuesit. Por, fëmija është i pafajshëm”, u shpreh babai i 13-vjeçares.

Meqë qyteti i tyre nuk është i madh, babai tregon se ka gjetur shtëpinë e tashmë të dyshuarit dhe është përballur me babain e tij, të cilit ia ka dhënë një mesazh.

“Kur ta zbardhë drejtësia këtë rast, që djaIi yt është dhunuesi, ke me pasë punë me drejtësi, por edhe me kanun”.

Babai i viktimës që është edhe veteran i UÇK-së, thotë se nuk ka besuar që pas luftës do të përballet me një situatë të tillë.

“Për këtë shtet, kam luftu, për këtë shtet e kam rrokë armën, për këta fëmijë që me pasë një të ardhme pak më të mirë.”

Nga prokuroria themelore në Gjilan nuk kanë kthyer përgjgije gjatë ditës, por me Televizionin ka folur Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Viti, Demush Mehmeti.

Ai ka thënë se rasti është cilësuar si keqpërdorim seksual, teksa thotë se me vajzën do të merret qendra edhe pse ndryshe ka pohuar babai i viktimës, kur potencoi se që nga marrja në pyetje asnjë psikolog as puntore sociale nuk e ka takuar më vajzën.

Demush Mehmeti nga Qendra për Punë Sociale në Viti në një lidhje telefonike ka thënë se “Na kanë njoftuar prej shtëpisë së shëndetit, edhe policia dhe kena qenë prezent për intervistimin e saj, është nën moshën 18 vjecare, ka mbet shtatzënë, e ka paraqitë një emër, I cili është jashtë. Qendra Sociale tash e përcjellë rastin varësisht pala çfarë ndihme kërkon”.

Ndërkohë, policia u ka thënë familjarëve të viktimës se shteti i Kosovës do të komunikojë me organet e rendit në shtetin e Zvicrës, ku pretendohet se ilegalisht po qëndron i dyshuari./Dukagjini.