Pas analizës të publikuar nga Gazeta Online “Reporteri.net” lidhur me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme ku u ngritën dyshime se ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka shkelur procedurat kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit dhe të zgjedhjeve ka reaguar, Bajram Gecaj i LDK-së.
Ai ka thumbuar ish-bashkëpartiaken e tij Vjosa Osmani. Duke iu referuar Vjosa Osmanit ai e ka futur në thonjëza fjalën eksperte.
“Mo-zo-ma-keq, ligji si llastiku edhe për “eksperten””, duke e publikuar edhe titullin e analizës së Reporteri.net: “ANALIZË: U.D. Presidentja ka shpallur zgjedhjet në kundërshtim me Kushtetutën”
Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka raportuar sot se si zyra e U.D. së Presidentes së Kosovës ka shpallur fillimisht zgjedhjet e më pastaj ka nxjerrë dekretin për shpërbërjen e Kuvendit.
Pas publikimit të artikullit dhe analizës, Zyra e U.D. të Presidentes së Kosovës ka reaguar duke e nxjerrë për herë të parë, pas gati një muaji, në publik, dekretin për shpërndarje të Kuvendit.
Me publikimin e këtij dekreti, Zyra e u.d. të Presidentes ka konfirmuar raportimin se dekreti është nxjerrë pas vendimit për shpalljen e zgjedhjeve më 14 shkurt 2021.
Kjo është lehtë e vërejtshme, vendimi ka numër 02/2021, ndërsa dekreti 03/2021.