×
  • Lajme
  • Lajme

    Bajrami: Jemi në negociata me Bankën Botërore për sigurimin e vaksinës anti-COVID

    Reporteri
    30 Tetor 2020 | 10:33

    Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se janë duke biseduar me Bankën Botërore për të siguruar vaksinën anti-COVID sapo ajo të jetë në dispozicion.


    Në një konferencë për media ka bërë të ditur se deri më tash, që nga fillimi i pandemisë, janë ekzekutuar 245 milionë euro.

    “Kemi bërë përpjekje maksimale që t’u dalim në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve. Nevojat kanë qenë më të mëdha dhe jemi të vetëdijshëm për këtë. Deri tani janë ekzekutuar 245 milionë euro. Prej atij fondi prej 365 milionë eurosh presim vetëm Ligji të kalojë në mënyrë që të mobilizojmë edhe 100 milionëshin tjetër”, ka thënë Bajrami.

    Ajo ka thënë se janë afër që të hyjnë në dy programe të FMN-së.

    “Është kohë sfiduese për të bërë parashikime të sakta. Ministria e Financave kemi punuar gjatë dhe jemi afër të hyjmë në programin e FMN-së. Një program dy vjeçar i cili do të adresojë dy sfida kryesore për Qeverinë e Kosovës që janë: Reforma substanciale në skemat pensionale të Kosovës dhe gjithashtu strategjia për menaxhimin e borxhit publik, meqenëse këtë kohë kemi qenë të detyruar të marrim hua duhet ta kemi një strategji të qartë që të menaxhohet dhe të mos bëhet barrë për gjeneratat e ardhshme”, ka thënë ajo. “Kjo marrëveshje do të na shërbejë për financim, mbështetje buxhetore prej 165 milionë eurove”.

    Tutje ajo ka shtuar se njëkohësisht janë duke punuar edhe me një program me Bankën Botërore, dhe janë zotuar si Qeveri që të ndërmarrin disa reforma sa i përket energjisë së ripërtërishme, liberalizimit të tregut të energjisë, reforma në ambientin e biznesit, zvogëlimin e barrës administrative dhe kjo gjithashtu parasheh një mbështetje buxhetore për Qeverinë e Kosovës në shumë prej 40 milionë euro.

    “Shpenzimet për vitin 2021 do të jenë 2 miliardë e 412 milionë euro, shpenzimet për paga do të jenë 625 milionë euro, mallra dhe shërbime do të kemi po aq sa kemi pasur në vitin 2019, investimet kapitale do të jenë në shumën prej 613 milionë euro, subvencione dhe transfere do të jenë 643 milionë euro dhe me të gjitha këto deficiti buxhetor gjatë vitit 2021 pritet të jetë në 4.2 për qind. Sipas të gjitha parashikimeve që i kemi pandemia do e tkurrë ekonominë e vendit për 6.7 për qind”, ka thënë Bajrami.

    Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se janë në negociata për sigurimin e vaksinës anti-COVID.

    “Si Ministri e Financave jemi në negociata intensive me Bankën Botërore në mënyrë që të hyjmë gjithashtu në një projekt të sigurimit dhe financimit të vaksinës anti-Covid, dhe kjo na bën të sigurt se ne do të jemi ndër vendet e para në fakt që sapo të dalë vaksina të arrijë. Do të thotë kur ata të furnizohen në mesin e shumë vendeve të tjera do të jetë edhe Kosova. Këto janë parashikimet tona duke u bazuar në situatën aktuale”, ka thënë Bajrami.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!