×
  • Lajme
  • Lajme / Kërkon hetime
    INSTANT

    Bajrami: Kosova importon gjysmën e energjisë që e shpenzon, po lulëzon mafia energjetike

    Reporteri
    20 Qershor 2025 | 12:29

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka prezantuar disa të dhëna të marra nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), të cilat tregojnë se Kosova, vetëm të premten, ka importuar gjysmën e energjisë që e shpenzon.

    Bajrami ka thënë se Prokuroria duhet të fillojë menjëherë hetimet për mafinë energjetike.

    “Institucionet dhe udhëheqësit e tyre kanë përgjegjësi për vonesat në remonte, për rënien e tri blloqeve për më pak se një muaj, sepse rënia e blloqeve ju lëvërdisë tregtarëve të energjisë, atyre që kanë monopolizu importin duke rezervuar kapacitetet e transportit të energjisë”, shkruan Bajrami ndër të tjera.

    Sot data 20 qershor 2025, Kosova sipas KOSTT-it importon gjysmën e energjisë që e shpenzon – ngarkesa është 13950 MW, ndërsa prodhimi është vetëm 7157 MW, kështu lulëzon mafia energjetike.

    Sipas njoftimit të KEK-ut, për më pak se një muaj tri blloqe të Termocentralit Kosova A kanë dalë jashtë funksionit:

    🔴 A3 – papritmas, më 19 qershor, edhepse nga 22 janari tenderi për rehabilitimin e tij në shumë prej 137 milionësh ende është i hapur,
    🔴 A5 – më 18 qershor, për shkak të humbjes së ujit në kaldajë,
    🔴 A4 – në remont që nga 16 maji,

    A e dini sa po na kushton kjo?

    Sot me date 20 qershor 2025, Kosova e importon rrafsh gjysmën e energjisë që e shpenzon, po, po gjysmën. Sot prodhimi sipas KOSTT-it është 7157 MW ndërsa A e dini se importi që bëhet për shkak të këtyre prishjeve nuk është i përfshirë në rritjen e çmimit të energjisë elektrike prej 16.1% as në vendimin për t’i përjashtuar 1300 biznese nga shërbimi i furnizimit universal?

    Por mos kini dyshim, pa energji nuk mbesim! Sa herë që bien blloqet e KEK-ut, ngritën në këmbë tregtarët e energjisë, veçanërisht NOA dhe EFT-ja e Vuk Hamoviqit.
    Mbajeni mend: fitimet e tyre janë çmime të rritura për të gjithë ne – këto ndërprerje dhe defekte përkthehen në:
    ➡️ import të shtrenjtë dhe
    ➡️ fatura edhe më të larta për secilin prej nesh në të ardhmën e afërt.

    Këto janë paratë tona që paguhen çdo ditë për paaftësinë ose korrupsionin në: Ministrinë e Ekonomisë, KEK, ZRrE dhe KOSTT. Njerëz të vendosur në këto institucione nga vetë Kurti/LVV, me ose pa vetëdije po punojnë për interesin e mafisë energjetike dhe zbrazjes së xhepave të qytetarëve.
    Energjia nuk është luks, por nevojë, por për tregtarët e energjisë, është bërë burim i majmë fitimi.

    Prokuroria duhet të fillojë menjëherë hetimet për mafinë energjetike. Institucionet dhe udhëheqësit e tyre kanë përgjegjësi për vonesat në remonte, për rënien e tri blloqeve për më pak se një muaj, sepse rënia e blloqeve ju lëvërdisë tregtarëve të energjisë, atyre që kanë monopolizu importin duke rezervuar kapacitetet e transportit të energjisë.
    HETIM, LLOGARIDHËNIE, TRANSPARENCË

    Me veç një bllok në funksion, KEK thotë se operimi po vazhdon normalisht: Nuk ka asnjë kolaps prodhimi

    Reporteri
    20 Qershor 2025 | 15:36

    Korporata Energjetike e Kosovës ka dalë me një reagim pas raportimeve për kolaps, duke thënë se operimi i njësive po vazhdon normalisht dhe se nuk ka asnjë kolaps në prodhim.

    KEK e ka pranuar se aktualisht ka në funksion vetëm një bllok, A3, që u kthye në funksion mëngjesin e sotëm, shkruan Reporteri.net.

    Në njoftim thuhet se njësia B1 parashihet të rikthehet brenda 48 orëve dhe se po punohet maksimalisht për rikthimin në operim edhe të njësive të tjera të Termocentralit “Kosova A” në ditët në vijim.

    “Edhe pse dje nuk është bërë nominimi për furnizim me energji, kjo është pasojë e pasigurisë së lartë teknike dhe kushteve që e bënin rikthimin e njësisë A3 pothuajse të pamundur. Falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe të pandërprerë të stafit teknik, kjo njësia është rikthyer sot në operim dhe është në prodhim të rregullt”, thuhet në reagim.

    Sa i përket njësisë B1 thuhet se nuk është nominuar për shkak të vështirësive teknike që lidhen me rritjen e humbjeve të ujit në kaldajë, rrjedhjet e avullit në sistemin e gypave dhe sinjalizimin e një defekti në filtrin elektrik.

    “Pavarësisht përpjekjeve maksimale për ta mbajtur në operim, ndalja e saj është planifikuar të ndodhë në orët e para të mëngjesit të 21.06.2025, me qëllim të evitimit të ndonjë avarie më të madhe apo të paparashikueshme që mund të cenonte sigurinë teknike të njësisë dhe sistemit në tërësi”.

    KEK thotë se është duke angazhuar të gjitha kapacitetet për sanimin e situatës dhe rikthimin e njësisë B1 në operim brenda afatit të parashikuar prej 48 orësh, në varësi të shkallës së dëmtimeve të gypave që duhet të zëvendësohen në kaldajë.

    Ndryshe, KESCO doli me reagim, ku njoftoi për nevojën e domosdoshme për import në mungesë të prodhimit vendor.

    KESCO bëri thirrje për kursim që të mos ketë rëndim të mëtejshëm të situatës, teksa shtoi se është duke ndërmarrë të gjitha përpjekjet për të siguruar furnizimin e nevojshëm dhe për të garantuar qëndrueshmëri në sistem.

    “Megjithatë, importimi i një sasie kaq të madhe paraqet vështirësi të konsiderueshme si nga aspekti teknik, ashtu edhe ai financiar. Për të minimizuar ndikimin e kësaj situate, KESCO u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që të aplikojnë masa të menjëhershme të kursimit të energjisë elektrike. Çdo kilovat-orë e kursyer ndihmon në ruajtjen e stabilitetit të furnizimit dhe në zvogëlimin e kostos së përgjithshme, që përndryshe do të rëndonte mbi të gjithë ne”./Reporteri.net

    Haradinaj: Aktualisht ka zero prodhim të rrymës nga KEK, kolaps i qëllimshëm

    Reporteri
    20 Qershor 2025 | 15:14

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pretendon se rënia e blloqeve të Korporatës Energjetike të Kosovës dhe mungesa e prodhimit, nuk është rastësi.

    Sipas tij, kjo gjendje është rezultat i një “kolapsi të qëllimshëm”, shkruan Reporteri.net.

    “Sot ranë të gjitha blloqet, aktualisht ka zero prodhim të energjisë elektrike nga KEK. Kjo nuk është rastësi, është rezultat i një kolapsi të qëllimshëm, i diktuar nga direktiva politike dhe i ushqyer nga pazaret e tuxharëve të mafisë energjetike, të cilët sot kontrollojnë tregtinë me rrymë”, ka shkruar Haradinaj.

    Ai ka thënë se për këtë gjendje duhet të jap përgjegjësi kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

    “Të njëjtët që sot i lanë qytetarët pa energji, dikur krenoheshin se e kishin ndalur ndërtimin e Termocentralit Kosova C dhe se kishin refuzuar gazsjellësin amerikan. I ndalën projektet strategjike për shtetin, për të hapur rrugën e abuzimit dhe të pasurimit për një grusht njerëzish të lidhur me qeverinë. Pushtetin po i heton Prokuroria dhe do të hetojë dhe gjejë gjithçka, por një dihet; se ky është krim që i është bërë këtij vendi dhe askush nuk duhet të shkojë në përgjegjësi para Kryeministrit në detyrë”, ka shkruar tutje ai./Reporteri.net

    Paralajmërimi për import nga nesër, sa kushton rryma në bursat ndërkombëtare?

    Reporteri
    20 Qershor 2025 | 14:42

    Rënia e blloqeve në KEK, pritet ta shtyjë vendin drejt importit të energjisë elektrike. KESCO ka paralajmëruar se në mungesë të prodhimit vendor nesër e ditëve në vijim, e gjithë sasia e rrymës do të duhet të mbulohet duke blerë nga jashtë. Por, sa është çmimi i rrymës aktualisht në bursë?

    Për fat të mirë, çmimi i rrymës është në trend të rënies në bursat ndërkombëtare, tash e tri ditë.

    Në bursën hungareze HUPX, ku blen Kosova, çmimi mesatar për një megavat-orë të energjisë elektrike gjatë ditës së sotme është 88 euro e 28 centë, teksa gjatë orëve të pikut, ku konsumi është në nivelin më të lartë, çmimi është 48 euro e 44 centë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Dje, çmimi ka qenë 90 euro e 2 centë, përkatësisht 60 euro e 61 centë. Të mërkurën çmimi për një megavat në orë të energjisë ka qenë 95 euro e 15 centë, teksa në orët e pikut 64 euro e 11 centë.

    Nesër çmimi për një megavat në orë parashihet të bie në 73 euro e 85 centë, teksa për orët e pikut në 27 euro e 51 centë.

    Korporata Energjetike e Kosovës njoftoi dje se tri blloqet e Termocentralit Kosova A, janë jashtë funksionit, duke përfshirë edhe bllokun A4 që është në remont nga muaji maj.

    Përmes një njoftimi tjetër, KEK bëri me dije sot se njësia A3 është kthyer në operim sot në orën 08:00.

    Disa orë pas njoftimit të KEK, KESCO doli me reagim, ku njoftoi për nevojën e domosdoshme për import në mungesë të prodhimit vendor.

    KESCO bëri thirrje për kursim që të mos ketë rëndim të mëtejshëm të situatës, teksa shtoi se është duke ndërmarrë të gjitha përpjekjet për të siguruar furnizimin e nevojshëm dhe për të garantuar qëndrueshmëri në sistem.

    “Megjithatë, importimi i një sasie kaq të madhe paraqet vështirësi të konsiderueshme si nga aspekti teknik, ashtu edhe ai financiar. Për të minimizuar ndikimin e kësaj situate, KESCO u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që të aplikojnë masa të menjëhershme të kursimit të energjisë elektrike. Çdo kilovat-orë e kursyer ndihmon në ruajtjen e stabilitetit të furnizimit dhe në zvogëlimin e kostos së përgjithshme, që përndryshe do të rëndonte mbi të gjithë ne”, deklaroi KESCO./Reporteri.net

    Nga nesër paralajmërohet mungesë e theksuar e prodhimit vendor të rrymës, KESCO alarmon për kursim

    Çitaku: Kosova në kolaps, por për VV-në kjo s’ka rëndësi – për pushtet janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka

    Reporteri
    20 Qershor 2025 | 14:39

    Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pasi u paralajmëruar se nga nesër e në ditët në vijim pritet që të nisë një mungesë e theksuar e prodhimit vendor të energjisë elektrike. KESCO ka paralajmëruar se në rastin më ekstrem, kjo do të nënkuptojë që e gjithë sasia e energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë do të duhet të mbulohet përmes importit.

    E Çitaku në reagimine  saj është shprehur  se Kosova po përballet me kolaps në energji, ekonomi dhe politikë të jashtme, por pushtetit nuk po i bëhet vonë.

    Por, Çitaku ka shkruar se VV-së nuk i bëhet vonë kurrë.

    “Kollaps në energji. Kollaps në ekonomi. Kollaps në politikën e jashtme. Kollaps në Kuvend. Por për LVV-në kjo nuk ka rëndësi. Sepse për ta, pushteti nuk është mjet për tu shërbyer qytetarëve, është qëllim në vetvete. Dhe për këtë qëllim, janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka tjetër”, ka shkruar Çitaku.

    Hoti: Kriza energjetike po e rrënon ekonominë kosovare

    Reporteri
    20 Qershor 2025 | 13:47

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se pasiguria e furnizimit me energji elektrike dhe kriza në këtë sektor po e rrënon ekonominë kosovare.

    Hoti ka thënë se investimet aktuale dhe të ardhshme do të ndikohen negativisht nga mungesa e qartësisë sa i përket furnizimit me energji.

    Pas njoftimeve të djeshme nga KEK se disa njësi gjenden në remont dhe disa njësive të tjera që patën probleme, Hoti tha se këto po ndodhin pasi tenderët për rinovim e mirëmbajtje vonohen me vite.

    “Paqartësia nuk lidhet vetëm me çmimin e lartë dhe të paparashikueshëm, por edhe me pasigurinë e furnizimit. Asnjë masë nuk është marrë tash e sa vite. Blloqet e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B vazhdojnë të bien nga sistemi, pasi tenderët për rinovim e mirëmbajtje vonohen me vite”.

    “Centrali me gaz i Marrëveshjes së Uashingtonit u anulua në vitin 2021. Mjetet e parapara për atë qëllim u destinuan për projektin e baterive, por në fund humbën krejtësisht për shkak të ndryshimit të prioriteteve të politikave amerikane”.

    Hoti tha se dalja në tregun e hapur energjetik, pa i siguruar kushtet paraprake, duket se do të jetë shkatërruese për shumë prodhues.

    “Kjo do të ketë pasoja për punësimin e mijëra punëtorëve dhe, në veçanti, do të përkeqësojë aftësitë konkurruese të prodhuesve të Kosovës në tregun vendor dhe të jashtëm, duke e thelluar edhe më tej deficitin tregtar të Kosovës”.

    Kthehet në operim blloku A3, dy njësitë tjera ende jashtë funksionit

    Reporteri
    20 Qershor 2025 | 12:06

    Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se është rikthyer në operim blloku A3 i Termocentralit “Kosova A”, shkruan Reporteri.net.

    Kjo njësi që ishte ndalur dje në mënyrë të paplanifikuar, është kthyer në funksion sot në orën 08:00.

    “Rikthimi i njësisë është mundësuar falë reagimit të menjëhershëm dhe angazhimit profesional të stafit të Termocentralit “Kosova A”, të cilët kanë punuar pandërprerë, përfshirë edhe ndërrimin e tretë. Procesi i startimit ka filluar në orët e para të mëngjesit, ndërsa sinkronizimi me rrjetin është realizuar rreth orës 08:00. Aktualisht, njësia A3 është në operim të rregullt dhe gjendja e saj është stabile”, thuhet në njoftim.

    Aktualisht, jashtë funksionit janë dy blloqet tjera. A4 është në remont nga muaji maj, teksa A5 është ndalur si pasojë e humbjeve të ujit në kaldajë.

    Për A5 nuk është dhënë ndonjë afat se kur do të kthehet në funksion./Reporteri.net.

    Tri blloqe të Termocentralit “Kosova A” jashtë funksionit, KEK del me njoftim

    Tri blloqe të Termocentralit “Kosova A” jashtë funksionit, KEK del me njoftim

    Reporteri
    19 Qershor 2025 | 16:14

    Tri blloqet e Termoncetralit “Kosova A” janë aktualisht jashtë funksionit, shkruan Reporteri.net.

    Sipas njoftimit të Korporatës Energjetike të Kosovës, njësia A3  ka dalë nga sistemi në mënyrë të paplanifikuar, sot rreth orës 00:30.

    “Kjo ndalesë është shkaktuar si pasojë e luhatjeve në sistemin elektrik, me ç ‘rast ka reaguar sistemi mbrojtës i gjeneratorit, duke shkaktuar ndërprerjen automatike të zgjueses”, thuhet në njoftim.

    Njësia tjetër A5 është jashtë funksionit nga dje në orët e para të mëngjesit, teksa A4 është në remont nga 16 maji.

    Për bllokun A5 thuhet se para dy ditësh është vërejtur humbje e ujit në kaldajë. Kjo njësi është mbajtur në funksion deri dje në ora 00:02, kur thuhet se është ndalur me qëllim të evitimit të ndonjë avarie të përmasave më të mëdha.

    “Menaxhmenti i KEK sh.a. është i përkushtuar që, përtej adresimit teknik të situatës, të vendoset një standard i lartë i përgjegjësisë dhe llogaridhënies në të gjitha nivelet operuese, si parakusht për garantimin e stabilitetit të sistemit prodhues dhe të besueshmërisë ndaj publikut. KEK sh.a. siguron opinionin se po ndërmerren të gjitha masat teknike dhe organizative për rikthimin sa më të shpejtë të njësive në funksion, në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët relevantë të sektorit energjetik në vend”, thuhet në njoftim./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!