×
  • Lajme
  • Lajme

    Banka Qendrore e Kosovës vlerëson se kriza me pandeminë mund të çojë shumë biznese drejt dështimit

    Reporteri
    03 Prill 2020 | 12:13

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti përmes një konference për media, ka parashikuar pasojat në ekonominë e Kosovës të pandemisë së koronavirusit.


    Ai tha se Kosova po zbaton një shkallë të lartë të mbylljes duke lejuar funksionimin vetëm të atyre bizneseve që ofrojnë shërbimeve dhe që janë të domosdoshme për qytetarët.

    “Kjo ka ndikuar në ndërprerjen e aktivitetit të shumë sektorëve ekonomik duke lënë bizneset pa të hyra, përderisa detyrimet e këtyre bizneseve vazhdojnë të jenë aktive gjë që rrezikon aftësinë paguese dhe mund ti shtyjë ato drejt dështimit”, tha Mehmeti.

    Lidhur me këtë situatë, Mehmeti tha se në të njëjtën kohë, punonjësit e këtyre bizinseve, rrezikojnë që pjesërisht apo plotësisht të mbesin edhe pa pagat e tyre, dhe pa vende të punës.

    Kjo sipas tij, do të ndikojë edhe në rënien e fuqisë blerëse.

    I pyetur lidhur me vendimin për shtyrjen e kredive në institucionet financiare që veprojnë në Kosovë, Mehmeti tha se nuk do të ketë masa ndëshkuese për shtyrjen e këstit.

    “Interesi i rregullt do të llogaritet por më pas do të shpërndahen në proporcion në muajt në vijim kur të përfundojë kriza”, tha ai duke paralajmëruar masa të ashpra ndaj institucioneve financiare që nuk i respektojnë vendimet e Bankës Qendrore.

    Më 30 mars, Qeveria e Kosovës me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, ka miratuar Pakon Emergjente Fiskale në vlerë prej 179.6 milionë euro, e cila parasheh disa masa dhe përfshin disa kategori të shoqërisë dhe bizneseve, në kohën kur vendi po përballet me virusin COVID-19.

    Me anë të kësaj pakoje pritet të mbështeten bizneset, penzionerët, anëtarët e skemave sociale, komunat dhe pagesa shtesë për punëtorët e administratës shtetërore.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!