×
  • Lajme
  • Lajme

    Banorët e Bellanicës së Malishevës në “luftë” me shtetin

    Reporteri
    22 Prill 2019 | 14:13

    Banorët e fshatin Bellanicë të Malishevës kanë problem me tokat që pretendohet se dikur kanë qenë të tyre.


    Bëhet fjalë për 375 hektarë tokë, hapësirë kjo në të cilën parashihet të ndërtohet një park biznesi.

    Këto prona janë të ndërmarrjes shoqërore “Mirusha” e që banorët thonë se në vitin 1958 pushteti i atëhershëm ua mori me dhunë.

    Zanafilla e krejt kësaj buron që nga viti 1958, për të vazhduar me dekada të tëra.

    Kështu, banori Hazir Hoxha, ka një grumbull dokumentesh të asaj kohe e deri më sot, të cilat sipas tij, vërtetojnë pronësinë e shumë qytetarëve të fshatit Bellanicë.

    Duke rrëfyer për telashin përballë të të cilit gjenden tash e shumë vjet Hoxha thotë se është bërë edhe më e vështirë pasi autoritetet e Kosovës kanë vazhduar me mënyrën serbe të trajtimit të kësaj çështjeje.

    Ai thotë se institucionet kanë mbajtur sekrete, ku janë ndryshuar edhe numrat kadastral. E, sipas tij, shteti mbanë përgjegjësi për këtë punë.

    Ai rrëfen se si në prill të vitit 1959 kishte ardhur një vendim që i quan banorët ‘uzurpatorë’ të pronës së vet, në formë të reformës agrare dhe kolonizimit që kishte ndodhur atëherë.

    Megjithatë, thotë se disa banorë e kanë fituar të drejtën e pronës në ish-Jugosllavi, ndonëse në Kosovën e lirë, sipas tij, nuk është arritur asgjë më shumë se sa vendimi i Gjykatës së Suharekës, i vitit 1964, i cili heq termin ‘uzurpatorë’.

    E se institucionet nuk kanë lënë hapësirë komunikimi e thotë edhe kryetari i fshatit, Isuf Sertolli, sipas të cilit, fajtori kryesor për privatizimin e asaj toke është Kuvendi komunal.

    Me shpresën se do të ndryshojë gjendja, banorët e fshatit Bellanicë edhe kanë protestuar, por pa ndonjë rezultat.

    Për 81-vjeçarin Ali Zogaj, i cili thotë se ka 10 hektarë tokë në këtë pjesë të Malishevës, është e dhimbshme që toka të cilin dikur e kishte punuar me shumë dashuri e vullnet, sot nuk i lejohet që ta punojë.

    Ai tregon për hapat që kanë ndërmarr për të ruajtur tokën e tyre.

    Lidhur me këtë problem pronësor të banorëve të Bellanicës, Kp është interesuar të marrë një përgjigje edhe nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

    Në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike AKP thotë se vazhdimi i procesit të privatizimit të atyre pronave është bërë meqë nuk ka pasur ndonjë vendim nga Gjykata Supreme.

    “Privatizimi është bërë në kohën e ish-AKM-së dhe është bazuar në dokumentet kadastrale, sipas të cilave pronësia ka figuruar të jetë shoqërore. Dihet se juridiksion mbi Agjencinë e Privatizimit ka Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës, ku të gjitha palët që e konsiderojnë veten të dëmtuar mund të ankohen. Agjencia Kosovare e Privatizimit është e obliguar ta ndërpresë procesin e privatizimit të një ndërmarrje apo aseti vetëm në rast se për të njëjtën ndërmarrje apo pronë/aset vendoset masë e përkohshme nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme (DhPGjS), e cila sipas Ligjit të AKP-së ka juridiksion mbi AKP-në, ndërsa vazhdimi i procesit të privatizimit të këtyre pronave është bërë meqë nuk ka pasur ndonjë vendim nga kjo Gjykatë për ta ndaluar procesin e privatizimit”, thuhet në përgjigjen e tyre.

    Kurse, kryetari i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, Sahit Sylejmani, thotë se AKP-ja në bazë të ligjit, parimisht e ka mandatin të bëjë shitjen e aseteve shoqërore.

    Ndonëse, thekson ai, në rast se ka kërkesë për masë të përkohshme, Gjykata e shqyrton dhe vendosë nëse ka kushte ligjore që të ndalohet shitja.

    Ai thekson se gjykata është e vetëdijshme për problemet që mund të ndërlidhen lidhur me lëndët në pritje. Teksa shton se janë duke u munduar që të bëjnë më të mirën e mundshme, duke zgjidhur sa më shpejt që munden lëndët.

    Këtu, thotë ai, vjen në theks kapaciteti i kufizuar i gjyqtarëve dhe stafit që e mbështesin punën e gjyqtarëve. /Kp

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!