×
  • Lajme
  • Lajme

    Bardhyl Mahmuti e propozon projekt-rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë

    Reporteri
    12 Prill 2019 | 16:36

    Ish-përfaqësuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bardhyl Mahmuti, kishte propozuar që të sanksionohet me ligjet e Republikës së Kosovës, mohimi i gjenocidit, i nisuar nga dekarata ministrit Todosijeviq i cili e kishte mohuar Masakrën e Reçakut, ish-zëdhënësi i UÇK-së, ka hartuar një projekt-rezolutë për gjenocidin serb në Kosovë.


    Ai pati thënë që tani është momnti i duhur që institucionet e Kosovës ta miratojnë ligjin që do ti ndëshkonet mohuesit e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

    “Është momenti i duhur që institucionet e shtetit të Kosovës, deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe forcat politike duhet të flasin njëzëri për të miratuar ligjet që do të vënin bazën e ndëshkimit të atyre që mohojnë gjenocidin e Serbisë në Kosovë”, ka thënë Mahmuti, shkruan Reporteri.net

    Më poshtë po e sjellim të plotë tekstin:

    Projekt-Rezolutë për gjenocidin serb në Kosovë

    Duke pasur parasysh se:

    – në Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara më 9 dhjetor 1948,  me “gjenocid” nënkuptohet kryerja e cilitdo nga krimet e numëruara në nenin II të kësaj konvente:

    (a) vrasja e anëtarëve të grupit;
    (b) cenimi i rëndë i integritetit fizik ose mendor i anëtarëve të grupit;
    (c) vënia e grupit qëllimisht në kushte të tilla të jetës, që sjellin zhdukjen e plotë fizike ose të pjesshme të tij;
    (d) ndërmarrja e masave për pengimin e lindjeve brenda grupit; dhe
    (e) transferimi i dhunshëm i fëmijëve nga njëri grup në tjetri;

    kur krimi është bërë me qëllim që të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht, në aspektin fizik ose biologjik një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar, si i tillë.

    – faktet se gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë forcat e armatosura të Serbisë, në operacionet luftarake të ndërmarra, me qëllim që të shkatërrohen shqiptarët si grup kombëtar, etnik dhe fetar i ndryshëm nga serbët, kanë vrarë 1392 fëmijë shqiptarë, 1739 gra shqiptare dhe rreth 10 000 civilë të tjerë shqiptarë të të gjitha moshave;

    – Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, në të cilën nuk përcaktohet asnjë numër, asnjë përqindje, në bazë të së cilës shkatërrimi i pjesshëm i grupeve të lartpërmendura do të mund të konsiderohej si gjenocid;

    – shmangien e çdo minimizimi të përmasave të gjenocidit që kanë përjetuar popujt e tjerë në periudha të ndryshme historike dhe duke qenë përjetësisht mirënjohës për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, që i dha fund politikës serbe të gjenocidit në Kosovës;

    Për këto arsye, Kuvendi i Kosovës konstaton se vrasjet e fëmijëve, e grave, e pleqve dhe e civilëve shqiptarë të moshave të ndryshme gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë përbën krim të gjenocidit në kuptimin si përkufizohet gjenocidi me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit.

    2.

    Duke u nisur nga faktet se:

    – gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë forcat e armatosura të Serbisë ushtruan dhunë seksuale ndaj rreth 20 mijë femrave shqiptare;

    – Neni II paragrafi (b) i Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit cilëson si forma të gjenocidit edhe cenimin e rëndë të integritetit fizik ose mendor;

    – viktimat e dhunës seksuale kanë përjetuar vuajtje të mëdha, traumatizëm të rëndë dhe plagë të pashlyera psikologjike;

    – Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ruandën i cilësoi dhe i dënoi dhunimet seksuale të Hutuve ndaj Tutcive si akte gjenocidi, për shkak të faktit se dhunimi paraqet cenim të rëndë të integritetit fizik dhe mendor të viktimës;

    Kuvendi i Kosovës hedh poshtë si të papranueshme të gjitha pazarllëqet që janë bërë mes Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Qeverisë së Serbisë, për të ndryshuar kualifikimin e dhunimeve seksuale dhe konstaton se dhuna seksuale ndaj femrave shqiptare përbën krim të gjenocidit në kuptimin si përkufizohet gjenocidi me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit.

    3.

    Duke u bazuar në:

    – Rezolutën 47/121 të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombet e Bashkuara,  të datës 18 dhjetor 1992, në të cilën theksohet qartë se dëbimi masiv nga shtëpitë e veta të civilëve të pambrojtur dhe zbatimi i politikës së neveritshme të spastrimit etnik është një formë gjenocidi;

    – Rezolutën e Konferencës Botërore të të Drejtave të Njeriut të organizuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Vjenë më 14-25 qershor 1993, në të cilën theksohet në mënyrë të qartë se praktika e spastrimit etnik, si rezultat i agresionit serb kundër popullatës myslimane dhe kroate të Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës, përbën gjenocid dhe shkelje të rëndë të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit;

    – faktet se gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, forcat e armatosura të Serbisë dëbuan nga shtëpitë e tyre mbi 1 milion shqiptarë;

    Kuvendi i Kosovës konstaton se dëbimi i shqiptarëve dhe spastrimi etnik i Kosovës përbën krim të gjenocidit dhe shkelje të rëndë të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit.

    4.

    Duke u mbështetur në:

    – Deklaratën për Mbrojtjen e Personave nga Zhdukja me Forcë, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me Rezolutën 47/133 të datës 18 dhjetor 1992;

    – të drejtën ndërkombëtare që e klasifikon zhdukjen me forcë të personave si krim kundër njerëzimit;

    – fakte të shumta të pakontestueshme, që dëshmojnë se në funksion të fshehjes së krimit dhe të shmangies nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë në kryerjen e gjenocidit, institucionet e Serbisë zhvendosën me forcë në territorin e Serbisë mijëra civilë shqiptarë të të dyja gjinive dhe të të gjitha moshave, të gjallë dhe të vrarë;

    – fakte se, përveç një numri të caktuar që u kthyen të gjallë pas përfundimit të luftës, pasi kishin përjetuar trajtime çnjerëzore nëpër burgjet e Serbisë, mijëra kufoma civilësh shqiptarë janë gjetur në varreza masive anembanë Serbisë;

    – faktin se 20 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1600 personave, të cilët vazhdojnë të mbeten të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë;

    Kuvendi i Kosovës konstaton se zhdukja me forcë e civilëve shqiptarë përbën krim kundër njerëzimit dhe shkelje të rëndë të Deklaratës së Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e personave nga zhdukja me forcë.

    5.

    Duke konstatuar se:

    – pas përfundimit të luftës në Kosovë nuk është bërë asnjë dënim politik i gjenocidit të dëshmuar të regjimit të Sllobodan Millosheviqit në Kosovë;

    – institucionet politike dhe të drejtësisë në Serbi vazhdojnë të mohojnë krimin e gjenocidit në Kosovë dhe, rrjedhimisht, refuzojnë riparimin e dëmeve të shkaktuara;

    Duke konsideruar se pranimi i krimit të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë përbën një akt thellësisht njerëzor, që lehtëson përballimin e dhembjes për të mbijetuarit e gjenocidit dhe nderon kujtimin e viktimave të gjenocidit;

    Kuvendi i Kosovës kërkon nga shteti i Serbisë:

    • të pranojë faktin se ky shtet ka kryer gjenocid në Kosovë gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit në periudhën 1998-1999;
    • të ndriçojë plotësisht fatin e të gjithë atyre që ende konsiderohen të zhdukur;
    • të sjellë para drejtësisë përgjegjësit e krimit të gjenocidit në Kosovë;
    • të riparojë ato dëme të gjenocidit që ende mund të riparohen.

    6.

    Duke rikujtuar se:

    – më 15 janar 1999 forcat serbe kryen aktin gjenocidar në Reçak, gjatë të cilit u masakruan 42 civilë shqiptarë;

    – ky akt gjenocidar mobilizoi komunitetin ndërkombëtar, për t’i dhënë fund politikës së gjenocidit në Kosovë dhe për këtë qëllim organizoi Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje;

    – faktin që regjimi i Sllobodan Millosheviqit refuzoi zgjidhjen paqësore të Çështjes së Kosovës dhe vazhdoi politikën e gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë;

    – ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për t’i dhënë fund krimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë;

    Kuvendi i Kosovës kërkon që 15 janari të shpallet si Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë.

    7.

    Duke u nisur nga fakti se informimi i drejtë dhe i gjithanshëm është kusht i domosdoshëm kundër negacionizmit, si tërësi e qëndrimeve dhe e shpjegimeve të dhëna për të mohuar dhe shkatërruar vërtetësinë e gjenocidit:

    Kuvendi i Kosovës kërkon nga të gjitha institucionet politike dhe shkencore të Kosovës, që të angazhohen maksimalisht për ndriçimin e tërësishëm të gjenocidit në Kosovë dhe të sigurojë përkrahjen politike për njohjen e faktit që shqiptarët e Kosovës ishin viktima të gjenocidit.

    8.

    Duke pasur parasysh faktin se mohimi i krimit të gjenocidit dhe krimit kundër njerëzimit konsiderohet si fyerje më e rëndë që mund t’u bëhet viktimave të këtij krimi, familjarëve të tyre dhe tërë kombit ndaj të cilit është ushtruar gjenocidi:

    Kuvendi i Kosovës do të përgatitë plotësimin e ligjit, për të përfshirë ndëshkimin e të gjithë atyre, të cilët minimizojnë apo e arsyetojnë gjenocidin e kryer kundër shqiptarëve në Kosovë apo kundër cilitdo popull në botë, ndaj të cilit historia dëshmon se është kryer gjenocid.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!