Barrikadat s’janë as heroizëm as reagim origjinal i popullit serb, ka shkruar politikanja serbe në Kosovë, Rada Trajkoviç, raporton gazeta online Reporteri.net.
Pas 17 ditësh që kur janë ngritur barrikadat, Trajkoviç u shpreh e shqetësuar edhe për “trendin në rritje” të tensioneve të serbëve të Veriut me forcën paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë si dhe me Misionin Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë.
“Barrikadat nuk janë heroizëm e as kundëpërgjigje origjinale e popullit (siç i paraqesin disa media të pavarura), por rezultat i politikave të gabuara të Beogradit dhe Prishtinës. Trendi në rritje i tensioneve mes serbëve të Veriut me KFOR/EULEX, përveç se s’ka qëllim, është e rrezikshme për sigurinë e komunitetit serb”.
Trajkoviç u shpreh se për t’u stabilizuar situata në pjesën veriore të vendit duhet që serbët e dorëhequr nga Policia e Kosovës të kthehen në vendet e tyre të punës.
Kjo, thotë ajo, është krejtësisht e qartë. “Kushdo që e mohon nuk ua do të mirën serbeve të veriut”, u shpreh politikanja serbe.
“Janë dy prioritete: Kthimi në Policinë e Kosovës dhe gjetja urgjente e një kompromisi për Asociacionin (ashtu siç u rekomandua nga Gabriel Escobar. Alternativa është një konflikt që do të na kushtonte shumë”, ka shkruar Rada Trajkoviç.
Barikade nisu nikakav heroizam niti autentični odgovor naroda (kako ih predstavljaju čak i neki nezavisni mediji) već rezultat pogrešnih politika Beograda i Prištine. Trend porasta tenzija između severnih Srba i KFOR/EULEX sem što je besciljan, opasan je po bezbednost zajednice⤵️
— Rada Trajkovic (@trajkovic_rada) December 26, 2022
Afro 600 policë të komunitetit serb janë dorëhequr në muajin nëntor nga Policia e Kosovës në kuadër të dorëheqjes së përgjithshme nga institucionet e vendit në pjesën veriore./Reporteri.net/