×
  • Lajme
  • Lajme

    Baza ushtarake e FSK-së në Mitrovicë, flasin nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian

    Reporteri
    30 Mars 2021 | 19:08

    Kodra e Cërrnushës në Mitrovicë, nga e cila shihen katër komuna dhe dhjetëra fshatra në këtë rajon, tashmë i takon Ushtrisë së Kosovës (FSK) në të cilën pritet të ndërtohet një bazë ushtarake për kryerjen e ushtrimeve dhe të gjitha stërvitjet ushtarake.


    Vendimi u mor ditë më parë gjatë një seance të Kuvendit Komunal në Mitrovicë, në të cilën mori pjesë edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Enver Dugolli.

    Dugolli ka thënë se në kodrën e Cërrnushës pjesëtarë të FSK-së kanë kryer ushtrime ushtarake edhe në të kaluarën mirëpo për ta legjitimuar pronën, siç tha ai, ata kanë bërë një kërkesë në Komunën e Mitrovicës për të arritur një marrëveshje.

    Sipas tij, nga marrëveshja e arritur ata janë më të lirë që të investojnë dhe ndoshta në një të ardhme të ndërtojnë edhe ndonjë kazermë ushtarake ose objekte të përhershme për ushtrinë.

    “Faktikisht ai lokacion aty është shfrytëzuar edhe më herët prej regjimentit të FSK-së i cili është në Mitrovicë, e i cili është shfrytëzuar si poligon stërvitje. Mirëpo nuk kemi pas ndonjë marrëveshje apo dokument e cila dëshmonte se ajo pjesë na takon ne, dhe për këtë arsye nga FSK-ja është bërë një analizë e hollësishme dhe kemi ardhur në përfundim se duhet bashkëpunuar me Komunën e Mitrovicës për të legjitimuar në një farë forme edhe marrëveshjen për shfrytëzim të asaj pjese për nevojat tona aty”, ka thënë zëvendësministri Dugolli.

    Në këtë kodër, Kuvendi Komunal i Mitrovicës ka marrë vendim që Ushtrisë së Kosovës t’i jepen pesë parcela në të cilat do të ndërtohen objekte për regjimentin e tretë të FSK-së, për ndërtimin e një baze të përhershme të FSK-së.

    Për këtë vendim është deklaruar edhe Serbia, e cila, pa dyshim se e ka dënuar këtë veprim, duke thënë se me këtë rrezikohet popullata serbe në atë pjesë.

    Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Pertar Petkoviq, tha se kjo ishte një porosi e qartë e Kosovës për Serbinë.

    “E kuptuam porosinë, qëllimi dhe synimi është i qartë për ne me ndërtimin e bazës dhe vetëm lutemi që të mos i kërcënojnë serbët, sepse jemi në vitin 2021. Serbia do ta mbrojë dhe e mbron popullin e vet, askënd nuk do ta kërcënojë – është për paqe, për dialog, kurse ai që e bën këtë le të llogaris se çfarë bën, sepse përkeqëson paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, tha Petkoviqi në një deklaratë për “Tanjug”-un.

    “Ajo bazë është provokim i qartë që ka për qëllim realizimin e ëndrrës së vjetër të politikanëve prishtinas, e ajo është që ta integrojnë pjesën veriore të Kosovës e Metohisë, që ta rrëmbejë atë dhe ta pushtojë siç kanë tentuar disa herë”, potencoi ai.

    Por, koment pati edhe nga NATO-ja. Një zëdhënës i Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, i pyetur rreth kësaj baze ushtarake që pritet të ndërtohet në këtë kodër, dhe për reagimet serbe për këtë çështje, ka thënë se qëndrimi i organizatës mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës është i qartë dhe konsistent, duke theksuar se mbështesin zhvillimin e FSK-së sipas mandatit të saj fillestar, si një forcë për mbrojtje civile, raporton Zeri.info.

    “Qëndrimi ynë për Forcën e Sigurisë së Kosovës ka qenë i qartë dhe konsistent. Ne mbështesim zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës sipas mandatit të saj fillestar, pra të një force për mbrojtje civile. Pas ndryshimit të mandatit, ne po e rishqyrtojmë nivelin tonë të angazhimit në FSK”, ka thënë ky zëdhënës i NATO-s për “dtt-net”.

    Tutje, ai ka theksuar se NATO-ja mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj sigurisë në Kosovë dhe stabilitetit rajonal, teksa ka thënë se misioni i KFOR-it i vazhdon aktivitetet e tij ditore – sipas mandatit të OKB-së – që kanë për synim garantimin e një ambienti të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

    “KFOR-i monitoron situatën, bashkëvepron me të gjitha institucionet dhe komunitetet në Kosovë, ka kontakte të rregullta me Serbinë, si dhe me organizatat tjera ndërkombëtare në Kosovë, në veçanti me Bashkimin Evropian. Ai është në gjendje gatishmërie për të trajtuar të gjitha sfidat e mundshme, brenda parametrave të mandatit të saj të OKB-së”, theksoi më tej zëdhënësi i NATO-s.

    Po ashtu, ai tha se NATO-ja vazhdon të mbështesë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja, të cilin e quan si të vetmen zgjidhje afatgjatë politike për Kosovën dhe rajonin.

    “Edhe Beogradi edhe Prishtina duhet të garantojnë që të mos ketë tensione në rajon, të përmbahen nga deklaratat ose veprimet, të cilat mund të çojnë në përshkallëzim dhe të qëndrojnë të përqendruar në përparimin me reformat dhe në dialog”, përfundoi ky zëdhënës i NATO-s.

    Koment për këtë çështje pati edhe BE-ja. Nabila Massrali, zëdhënëse e shefit të BE-së, Josep Borrell, kërkoi që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet që nuk çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve.

    “Përsërisim thirrjen tonë për të dy palët [Kosovën dhe Serinë, shën.red] që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që nuk janë të favorshme për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre dhe nuk kontribuojnë në përpjekjet e bëra në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë për “dtt-net” Massrali.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!