Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka përfunduar vizitën e tij zyrtare në Kosovë dhe Serbi, vizitë kjo që erdhi disa ditë para takimit të 18 marsit në Ohër, ku pritet të diskutohet për aneksin e marrëveshjes së arritur në Bruksel.
Pasi takoi Kurtin në Prishtinë, Lajçak njoftoi se sot ka përfunduar edhe takimin e dytë të tij me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Nga atje, Lajçak deklaroi se e ka dëgjuar Vuçiqin lidhur me komentet që ai ka për aneksin e zbatimit të marrëveshjes dhe rrugën para në BE.
Pasi ka marrë përshtypjet nga të dy palët, nga Kurti e Vuçiqi, Lajçak deklaroi se është i gatshëm t’i finalizojë përgatitjet për takimin e rëndësishëm të nivelit të lartë, në Maqedoni të Veriut, që pason atë të mbajtur në Bruksel, më 27 shkurt.
“Pasi kemi marrë komentet nga të dyja palët, tani do të finalizojmë përgatitjet tona përpara takimit në Ohër të shtunën”, theksoi emisari Miroslav Lajçak, pas takimit me Vuçiqin në Beograd.
Finished my second meeting with @predsednikrs @avucic to hear his comments on the Implementation Annex and the way forward on the EU Agreement. Having received feedback from both Parties, we will now finalize our preparations ahead of the meeting in Ohrid on Saturday. pic.twitter.com/HMIfZbNdRs
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) March 14, 2023
Para se të shkonte në Beograd, Lajçak fillimisht u ndal në Kosovë, në një takim me kryeministrin Albin Kurti, të enjten.
Ai pati deklaruar se takimi ishte frytdhënës, dhe se Kurti i ka dhënë më shumë informacione mbi qëndrimin e tij në këtë proces.
“Qëllimi i vizitës sime në Prishtinë sot është për të diskutuar mbi implementimin e dokumentit me kryeministrin Kurti dhe mund të them se patëm diskutim konstruktiv, të rëndësishëm dhe shumë frytdhënës mbi këtë. Por, qëllimi kryesor i vizitës është të marr informacione se si e sheh Kosova implementimin. Dhe ky takim i ka përmbushur pritshmëritë e mia në këtë kontekst. Tash di më mirë se cilat janë pritshmëritë edhe të Kosovës për implementimin”, deklaroi Lajçak para mediave.
Lajçak pas takimit me Kurtin: Tash e di më mirë se si e sheh Kosova aneksin e marrëveshjes
Përpos vizitës së përfaqësuesit të BE-së, në Prishtinë dhe Beograd do të zbarkojë edhe I dërguari i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Gjatë kësaj jave, Escobar do të qëndrojë në Kosovë e Serbi për të mbështetur procesin e dialogut.
Më 18 mars, emisari amerikan do të qëndrojë edhe në Ohër të Maqedonisë se Veriut, merr vesh Gazeta Online Reporteri.net.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht Dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Escobar po udhëton në rajon për të mbështetur këtë proces”, tha zëdhënësi i DASH për Gazetën Online Reporteri.net.
Escobar fillimisht nesër do të qëndrojë në Serbi, ndërsa gjatë javës do të jetë për vizitë zyrtare edhe në Kosovë.
Në Beograd, Gabriel Escobar do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ndërsa Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se emisari amerikan do të zhvillojë takim në Prishtinë edhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. /Reporteri.net/.