Deputeti i Partisë Demokratike, Bekim Haxhiu, thotë se “e vërteta e blerjes së armatimit nga SHBA-ja, negocimi dhe kontraktimi”, janë bërë nga ish-kreu i PDK-së, Kadri Veseli, në vitin 2018, shkruan Reporteri.net.
“Një pjesë e këtij armatimi, mjetet e blinduara “Humvee” nga SHBA kishin arritur në Kosovë me 25.07.2020. Pse ka pasë vonesa për pjesën tjetër të armatimit duhet te japin llogaridhënie qeveritarë e sotëm. Sot, kur dezertorët dhe sabotuesit e luftës çlirimtare flasin për luftë e kupton hipokrizin e këtij pushteti, që abuzojnë me sigurinë e vendit për populizëm elektoral. Krahasuar me fuqinë ushtarake të Serbisë , Kosova vendi ynë do të jetë e sigurt vetëm me antarësimin në NATO dhe aleance të përhereshme me SHBA dhe BE. 10 vite me parë LVV dhe LDK nuk votuan ndryshimet kushtetuese për shëndrrimin e FSK-s në Ushtri të Kosovës. Sikur atëherë të votohej transformimi i FSK në ushtri sot do ishim pjesë e NATO-s”, shkroi Haxhiu në Facebook.
Edhe dje, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të krenohet për kërkesën ndaj SHBA-ve që të furnizohet me anti-tank Javelin. Haradinaj ka thënë se që nga viti 2018 në planin 10-vjeçar të zhvillimit të Ushtrisë së Kosovës, kanë qenë të dakorduara blerjet e sistemeve anti-tank, përfshirë edhe raketat Javelin dhe jo vetëm.
Madje ai thotë se Qeveria e Kosovës duhet të japë llogari se pse një kërkesë e tillë është vonuar.
Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka shkruar për kërkesën që Kosova ia ka bërë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për blerjen e raketave anti-tank Javelin, në vlerë prej 75 milionë dollarësh, gjë që u konfirmua mbrëmë nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gazetën Online Reporteri.net.
Haradinaj: Blerja e anti-tankeve “Javelin” ishte e dakorduar me SHBA’në qysh në vitin 2018
Osmani ka thënë se Republika e Kosovës po hyn në një fazë të re dhe vendimtare të fuqizimit të kapaciteteve shtetërore të mbrojtjes.
Komandantja Supreme e FSK-së tha se me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Blinken në korrik të vitit të kaluar, kanë diskutuar mbi miratimin e programit të Shitjeve Ushtarake të Huaja (FMS), për Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-ve dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara, i cili tashmë është njoftuar zyrtarisht për synimin e Kosovës për të blerë sisteme mbrojtëse armësh përmes programit FMS.