Besa Luzha tregon a i ka bërë votat për deputete

Anëtarja e njohur e shoqërisë civile vitet e fundit, Besa Luzha, ka qenë kandidate për deputete nga lista AAK-PSD në zgjedhjet e 6 tetorit.


Luzha ka thënë se ka parë që ka gabime brendapartiake, por që mendon se duhet besuar institucioneve.

Luzha ka deklaruar se do të presë përfundimin e numërimit për të parë verdiktin final të zgjedhjeve dhe rezultatin e kandidaturës së saj për deputete.

Ajo thotë se nga sot do t’i kthehet punës normale në mësimdhënie dhe në Fondacionin Friedrich Ebert.

Postimi i saj:

“Të nderuar miq, familjarë, kolegë dhe qytetarë të Kosovës

Më 5 shtator 2019, mora vendimin për t’iu bashkuar garës zgjedhore 2019, për të dhënë kontributin tim profesional dhe qytetar për të ardhmen më të mirë të të gjithë neve.

Iu përgjegja me plot kënaqësi dhe përgjegjësi ftesës së dy miqve të mi, Shpendit dhe Ramushit, që bashkë me subjektet e tyre, në listën e përbashkët zgjedhore, të bashkohemi për t’iu prezantuar qytetarëve të Kosovës, një program konkret për të mbrojtur Kosovën e 17 shkurtit dhe me zhvillimin ekonomik e shoqëror, të bashkuar me një përkushtim më të madh për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve.

Për mua ishte shumë i qëlluar angazhimi për këto tema në të cilat kam qenë aktive në vazhdimësi, për 20 vite me radhë, në kuadër të shoqërisë civile, andaj i falënderoj shumë të dy dhe subjektet përkatëse që pranuan kontributin tim profesional në këtë garë.

Angazhimi im për këto tema do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim, pavarësisht faktit se, në bazë të rezultateve (ende jo përfundimtare) mund të mos jem pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Unë jam e lumtur që pata rastin, që përmes takimeve të organizuara nga shtabi i përbashkët zgjedhor AAK-PSD, takova shumë qytetarë të Kosovës, nga vise të ndryshme, të përkushtuar për një Kosovë të sigurtë, të pandarë dhe të zhvilluar e të përparuar. Kjo përvojë për mua do të mbetet e paharruar, pavarësisht rezultatit.

Subjektet që garuan, kanë mënyra e rrugë të ndryshme për të arritur synimin e tyre, dhe kjo është plotësisht legjitime në sistemet pluraliste. Ai që merr besimin nga qytetarët është fitues i garës dhe ka obigim të marrë përgjegjësinë për të prirë në rrugëtimin për realizimin e synimit të tyre por edhe për gjithë shoqërinë.

Procesi zgjedhor ishte shumë i mirë, ashtu edhe dita e zgjedhjeve, dhe kam dëshirë që edhe përmes procesit të numërimit të tregojmë pjekuri dhe qytetari e të jemi shembull.
Kam parë që ka gabime, ka akuza të ndryshme brenda subjektit,për fazën e fundit, pra atë të numërimit, por unë besoj që duhet të kemi besim në institucionet përkatëse.

Unë, një parregullsi numërimi, të vetmen për të cilën kam fakt, në vendvotimin ku personalisht kam votuar, do ta paraqes në KQZ, sipas procedurave, dhe pres me qetësi përfundimin e numërimit për verdiktin final.

I falënderoj të gjithë ata që më kanë votuar,dhe ata që po interesohen, e po shprehin dëshirën që rezultati të jetë pozitiv duke i siguruar se aktiviteti im do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim, 100 pa u lëkundur nga bindjet e mia, pavarësisht rezultatit final.

Kemi shumë punë për të bërë, andaj të gjithë ne bashkë kemi rast të dëshmojmë sa dhe si e duam Kosovën tonë.

Unë nga sot i kthehem punës normale në mësimdhënie dhe në Fondacionin Friedrich Ebert” shkruan Luzha në njoftim.