×
  • Lajme
  • Lajme / Ndërhyrje

    Besnik Bislimi ushtron autoritet të kundërligjshëm në Autoritetin e Konkurrencës, kërkon masa për “Devollin” dhe çmimin e bukës

    Reporteri
    29 Maj 2025 | 19:22

    Zëvendëskryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, ka ndërhyrë në punën e Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës.

    Bislimi të enjten e 22 majit, ka ftuar në takim kryetaren e AKK-së, Naime Binaku- Isufi, nënkryetaren Kaltrina Sela, anëtaren Nafije Osdautaj si dhe drejtorin e përgjithshëm Selajdin Beqa.

    Kryetarja Binaku-Isufi ka thënë se me zëvendëskryeministrin Bislimi kanë diskutuar për rastet që autoriteti i ka në hetim.

    Sipas saj Bislimi ka kërkuar marrjen e masave ndaj kompanive që kanë shkelur Ligjin e Konkurrencës.

    “Me i trajtu rastet dhe me marrë masa, me marrë vendime, vendim ndaj masave për shkeljen e konkurrencës”, ka deklaruar ajo për “Betimi për Drejtësi“.

    E pyetur se për cilat raste konkretisht ka kërkur Bislimi që të merren vendime nga Komisioni i Konkurrencës, ajo ka thënë “Qat kartelin që e kanë zënë në Gjakovë, e kemi pas që u kanë dhe ne media, marrëveshja për çmimin për bukën që u rrit 60-70 cent”.

    Tutje, kryetarja Binaku-Isufi ka thënë se me zëvendëskryeministri Bislimi kanë diskutuar edhe për hetimin që autoriteti është duke e zhvilluar ndaj kompanisë “Devolli Corporation” dhe “Kujtesa net”.

    Si dhe ka shtuar se të njëjtin e ka informuar edhe për rastet e tjera të telekomunikimit të cilat i ka në tavolinë, por për të cilat nuk po mund të marrë masa në mungesë të kuorumit.

    E pyetur specifikisht nëse Bislimi ka kërkuar të merret vendim për rastin e “Devollëve”, ajo e ka konfirmuar këtë.

    “Po, po i thash unë që unë i kam 4 raste të telekomunikimeve që po më presin me marrë”

    Asaj i është përsëritur pyetja, nëse Bislimi specifikisht ka kërkuar vendim për rastin e “Devollëve” me “Kujtesën”, ku ka deklaruar “Popo, gjithëqysh gjithqysh rastet që i kemi d.m.th, na i kemi të gatshëm krejt janë bë hetimet janë gjet provat, neve na mungon vendimmarrja që s’kemi kuorum”.

    Por, përfshirja e Qeverisë në rastet që janë duke u hetuar nga Autoriteti i Konkurrencës, dhe rekomandimet e tyre për shqiptimin e masave është veprim i kundërligjshëm.

    Hulumtuesi i lartë në IKD-, Gzim Shala, thotë se kjo qasje paraqet ndërhyrje të hapur në autoritet.

    “Sipas Ligjit (neni 21) “Autoriteti është agjenci e pavarur, që për punën e vet i përgjigjet Kuvendit të Republikës së Kosovës” derisa “Ndalohet çdo ndërhyrje, politike, publike ose private që mund të cenojë pavarësinë ose paanshmërinë e Autoritetit”.

    Ndërkaq, sipas Ligjit Nr.06/L-113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura, “Njësia Përgjegjëse nuk mund të japë urdhra apo udhëzime lidhur me procedurat administrative për çështje të caktuara konkrete dhe individuale në kompetencë të agjencisë rregullatorë”. Përkundër paqartësive se cili institucion cilësohet si njësi përgjegjëse (eventualisht mund të jetë Kuvendi), Ligji thekson se as njësia përgjegjëse nuk mund të jap urdhëra apo udhëzime lidhur me procedura specifike administrative. Për këtë arsye, një qasje e tillë paraqet ndërhyrje të hapur”, ka thënë Shala.

    Por, pasi i është bërë me dije kryetares së autoritetit se si institucion janë i pavarur që i përgjigjen vetëm Kuvendit të Kosovës, ka ndryshuar deklaratën duke thënë se nuk kanë raportuar.

    E pyetur se pse kanë shkuar t’i raportojnë Bislimit si zëvendëskryeministër, kur Autoriteti i Konkurrencës i përgjigjet Kuvendit, ajo është përgjigjur: ‘”Nuk i kemi raportu, nuk i kemi raportu se Qeveria i propozon Kuvendit për komision”.

    “Jo jo nuk ka qenë nuk kom shku me raportu, unë nuk kom kuorum për vendimmarrje për shkak se noshta u keqkuptim se jom në rrugë, po unë kom raportu nuk më ka pyet ai, unë kom raportu që nuk kom kuorum për vendimmarrje si për kafën si për rastet të telekomunikimeve”, ka deklaruar tutje ajo.

    Ndërsa anëtarja Nafije Osdautaj ka konfirmuar takimin, duke thënë se kanë folur për veprimet e kryetares dhe drejtorit.

    Mirëpo, ka refuzuar të jap detaje të tjera.

    “Për besë kryetaren pyete, unë s’po di tash. Kurgjo s’ka kërku zotëri Bislimi prej neve, kemi bisedu për mbarëvajtjen e rasteve që i kemi që na kanë mbet mbrapa…Anëtarja Osdautaj: Për veprimet e kryetares për mosveprimet e saj, për veprimet që i bën drejtori të cilat tashmë janë të njohura”, ka thënë Osdautaj.

    Në anën tjetër drejtori i përgjithshëm Selajdin Beqa fillimisht ka mohuar se ka qenë pjesë e takimit, ndërsa është njoftuar se pjesëmarrja e tij është konfirmuar nga kryetarja e autoritetit, ka deklaruar se nuk mund ta konfirmojë.

    “E nderuar unë nuk i kam këto informacione lidhur me këtë takim, ai është zhvilluar me sa kam informacione prej anës së komisionit…Unë nuk mund ta konfirmoj një gjë të tillë…Unë nuk kom koment sa i përketë kësaj nuk mund ta konfirmoj as takimin as ndonjë kërkesë të tillë”, ka deklaruar Beqa.

    Shala nga IKD thotë se nëse në takim është zbuluar ndonjë sekret tregtar, atëherë të njëjtit mund ngarkohen me përgjegjësi penale.

    “Në rastet që ka në trajtim, Qeveria nuk është palë në procedurë. Çdo ndarje e informacioneve ka qenë e kundërligjshme. Këtu eventualisht mund të tërhiqet edhe përgjegjësi penale, nëse eventualisht është zbuluar ndonjë sekret tregtar, që sipas Ligjit gëzon mbrojtje të veçantë”, ka thënë Shala.

    Pasi zëvendëskryeministri Bislimi nuk kishte arritur rezultat nga takimi me anëtarët e komisionit dhe drejtorin Beqa, të cilët i kishin bërë me dije se komisioni nuk ka kuorum, kryetarja e autoritetit thotë se Bislimi t’u ketë thënë “ma mirë mos t’ju kisha taku hiç këtë formë”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!