×
  • Lajme
  • Lajme / Deputeti i AAK-së

    Besnik Tahiri thirrje Qeverisë Kurti: Kthehuni në realitet, mos mashtroni, punoni najsend

    Reporteri
    24 Gusht 2024 | 12:59

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i ka parashtruar pesë pyetje Qeverisë që lidhen me arsimin, rrugët, pensionet, shëndetësinë dhe Bordin e RTK-së.

    Tahiri ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të kthehet në realitet dhe të punojë najsen, dhe të mos mashtrojë, shkruan Reporteri.net.

    Postimi i plotë i Tahirit:

    I madh e i vogël në këtë vend është duke u marr me tema të sigurisë e tema të nivelit të lartë, pa pasur kurfarë dije e as njohurie për to. Tani, është mirë t’i kthehemi jetës në Kosovë, t’u kthehemi problemeve të cilat janë bërë të papërballueshme për funksionimin normal të mirëqenies së një familje.

    Janë 5 pyetje që kërkojnë përgjigje shpejt.

    1. Një javë para fillimit të vitit shkollor, kur do të dalin paratë për libra dhe a është gjithçka gati për vitin e ri shkollor? Asnjë përgjigje dhe qetësi nga MAShTI.

    2. A do të përfundojnë para dimrit këto rrugë? A do të hyjmë në vitin 2025 me katrahurën e rrugëve që i lidhin Gjakovën, Gjilanin, Mitrovicën e Podujevën me kryeqytetin? Dhe, a do t’i rimbursoni mbi 2500 biznese të cilat janë para bankrotimit?

    3. Kur do t’i rrisni pensionet? A po pritni për ta bërë këtë para fushatës zgjedhore? A e dini që Interlokutori i Kurtit në dialog, Vuçiq, ka njoftuar se nga 1 dhjetori 2024 do të rriten pensionet në Serbi. Ky i yni, jo vetëm që përmes dialogut nuk i ka kthyer mjetet e vjedhura nga Serbia, siç kishte premtuar gjatë kohës në opozitë, por i ka lënë pensionet në nivel të asistencës sociale, që nuk u ofron të moshuarve as mjete të mjaftueshme për trajtim shëndetësor!

    4. A do të hiqni dorë nga kapja e institucioneve të pavarura dhe a do të ndaleni me sulmet e juaja, e më së keqi me kthyer RTK-në në organ partiak? Cili është kriteri për përzgjedhjen e tre anëtarëve tjerë të Bordit.

    5. Kur do të kalojë Ligji për Sigurimet Shëndetësore? E di që për pagat në sektorin publik as që e keni në plan, as nuk do ta bëni kur ta sillni buxhetin e vitit 2025.

    Përgjigjuni në këto pyetje e mos u mundoni të merreni me tema të mëdha, se sot për sot këto çështje janë interes qytetar e shtetëror.

    Kthehuni në realitet, mos mashtroni, punoni najsend!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!