×
  • Lajme
  • Lajme / Raporti i UNDP

    Bie kënaqshmëria e qytetarëve me punën e liderëve shtetërorë: Varfëria dhe papunësia problemet kryesore

    Reporteri
    28 Shkurt 2024 | 13:16

    Kënaqshmëria e qytetarëve ndaj punës së presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca ka rënë. Kjo sipas në matjeve të fundit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

    Të dhënat e anketës së opinionit të nëntorit 2023 tregojnë se mesatarisht 42.44% e qytetarëve janë të kënaqur me punën e institucioneve qendrore të Kosovës, duke shënuar rënie për 3.32 pikë përqindje krahasuar me prillin e vitit 2023, kur ky numër ishte 45.76%, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Sipas raportit qytetarët e Kosovës më së shumti janë të kënaqur me punën e presidentes Vjosa Osmani, në krahasim me krerët tjerë shtetërorë.  Megjithatë, sipas raportit ka rënie të kënaqshmërisë edhe me punën e presidentes. Sipas tyre, kënaqshmëria për punën e  presidentes Osmani ka rënë nga 60.3 në 56.2 për qind.

    Kënaqshmëria me performancën e kabinetit ekzekutiv e kapi vlerën prej 41.8% duke shënuar ulje për 4 pikë përqindje krahasuar me prillin 2023 kur ishte 45.8%. Kënaqshmëria me punën e kryeministrit  Kurti është  48.9%, duke treguar ulje për 2.6 pikë përqindje krahasuar me prillin 2023 (51.5%). Kënaqshmëria me Kuvendin ishte në vlerën prej 38.7% krahasuar me 46.4% në prill 2023.

    Një rënie pak më e lartë e kënaqshmërisë është vërejtur me Kryetarin e Kuvendit, duke e shënuar vlerën prej 52.2%, krahasuar me 58.3% në prill 2023.

    Ndërkohë, është shënuar një rritje për 0.3 pikë përqindje me punën e gjykatave (29.3%) krahasuar me nëntorin e vitit 2023 (29%), dhe për 1 pikë përqindje me punën e Prokurorisë (30%) krahasuar me prillin e vitit 2023 (29%).

    Matjet janë bërë për periudhën prill – nëntor 2023.

    Tre çështjet kryesore të raportuara gjatë kësaj ankete të opinionit ishin varfëria (28.6%), papunësia (19.2%) dhe çmimet për artikujt e domosdoshëm (8.9%). Shërbimet e kujdesit shëndetësor (8%) dhe problemet e hapësirës urbane (3.8%) ishin ndër pesë problemet kryesore të identifikuara. Përqindja e të anketuarve që e vlerësuan varfërinë si problemin kryesor madhor u rrit për 7.5 pikë përqindje, krahasuar me anketën e prillit 2023, kur varfëria (20.1%) u vlerësua si problemi i dytë kryesor. Ndërsa përqindja e të anketuarve që e shihnin papunësinë si çështjen kryesore madhore u ul për 13.5 pikë përqindje krahasuar me prillin 2023 (32.7%), sipas raportit. /Reporteri.net/

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!