×
  • Lajme
  • Lajme / Dialogu

    Bislimi pas takimeve në Bruksel: Sorensen javën tjetër dërgon anëtarët e ekipit të tij në Kosovë dhe Serbi, vetë mund të vijë në korrik

    Reporteri
    10 Qershor 2025 | 20:37

    Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi ka marrë pjesë sot në takimin në Bruksel në kuadër të procesit të dialogut. Pas takimit, ai ka paralajmëruar se Sorensen mund të zhvillojë vizitë në Kosovë dhe Serbi, teksa tha se javën tjetër ai do të dërgojë dy nga anëtarët më të ngushtë të ekipit për të grumbulluar informata, shkruan Reporteri.net.

    Bislimi ka bërë me dije se kanë zhvilluar takimin e parë trilateral me ndërmjetësuesin e ri të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

    Ai tha se në takim kanë diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes Bazike.

    “Ideja ka qenë që sot të kemi tri tema të ndryshme që trajtojmë. Në pjesën e parë jemi dakorduar për principet sesi duhet të udhëhiqen takimet në trilateral tash në kohën e z. Sorensen dhe aty mendoj që kemi arritur një dakordim të përgjithshëm. Në pjesën e dytë që ka qenë pjesa qendrore e takimit të sotëm kemi diskutuar për ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike ku palët kemi treguar idetë tona se si mendojmë që mund të sigurohemi që Marrëveshja Bazike zbatohet”, ka deklaruar Bislimi.

    Bislimi tha se u është dhënë kohë që në takimin e radhës të sjellin në mënyrë të shkruar idetë “se si mund të sigurohemi që versioni i sekuencimit të cilin kemi përfundu me z. Lajçak duhet të bëhet i pranueshëm për palët dhe të ecim tutje”.

    Bislimi ka bërë me dije se në takimin bilateral pastaj, kanë diskutuar edhe për çështjen e personave të pagjetur.

    Ai ka paralajmëruar se Sorensen mund të zhvillojë vizitë në Kosovë, teksa tha se javën tjetër ai do të dërgojë në Kosovë dhe Serbi dy nga anëtarët më të ngushtë të ekipit për të grumbulluar informata.

    “… ideja ime është që z. Sorensen ka pak a shumë një vizion të qartë se si do të ecë në takimet e radhës e poashtu është dakorduar që javën tjetër të dërgojë në Kosovë dhe Serbi dy nga anëtarë të tij më të ngushtë të ekipit që të grumbullojë informata shtesë, pastaj mbase edhe të vijë vetë në fillim të muajit korrik në Kosovë dhe Serbi për të parë se cili duhet të jetë hapi i radhës. Kjo për mua tregon që ai ka një investim të madh në proces, ka dëshirë që të shohë rezultate, por ju e dini se deri më tani Serbia e ka sabotuar çdo hap të procesit dhe nuk është lehtë që të vendoset në binarë apo në trajektore të re”, ka deklaruar Bislimi.

    Në fund, Bislimi tha se ideja e Sorensen është që të bëjë edhe një takim gjatë muajit korrik, para se EEAS të shkojë në pushim të verës./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!